Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Merkel kritikon qëndrimet raciste të Trump

Merkel kritikon qëndrimet raciste të Trump

Kancelarja gjermane Angela Merkel, në konferencën vjetore me gazetarë, tha se ajo do të mbetet në postin e kancelares deri në vitin 2021, pra deri në përfundim të mandatit të tanishëm, të fituar në zgjedhjet e fundit. Në këtë mënyrë ajo i dha fund edhe një herë spekulimeve për mundësinë e largimit të parakohshëm nga posti i kancelares.

Në konferencën tradicionale vjetore me gazetarë Merkel u përgjigj edhe në pyetjen rreth sulmeve të fundit të presidentit Donald Trump ndaj katër kongresisteve demokrate në SHBA.

Ajo u shpreh me përbuzje ndaj këtyre sulmeve. “Unë distancohem qartë nga këto deklarata dhe ndjej solidaritet ndaj grave të sulmuara”, theksoi Merkel në konferencën e saj vjetore për shtyp në Berlin. “Njerëzit me kombësi shumë të ndryshme kanë kontribuar në forcën e popullit amerikan”, theksoi Merkel duke shtuar se deklaratat e Trumpit janë në “kundërshtim me fuqinë e Amerikës”.

Merkel iu bashkua kështu valës së kritikave ndaj Trumpit, për shkak të një mesazhi të tij në Twitter ku shkruante se kongresistet e Partisë Demokratike duhet të “kthehen në vendet prej nga kanë ardhur dhe të ndihmojnë këto vende krejtësisht të rrënuara nga krimet”.

Të gjithë kongresmenët e Kongresit amerikan janë shtetas të këtij vendi, ndaj kërkesa e tij për largimin e personave me origjinë të huaj nuk qëndron fare. Vërejtjet e Trumpit janë kritikuar dhe quajtur “raciste”, edhe pse vet Trump i ka hedhur poshtë këto pohimet duke thënë se ai në trupin e tij nuk ka “asnjë kockë raciste”./tch

Exit mobile version