1. Faleminderit, o Musa, nga historia jote mësova se nuk ka fitimtar tjetër përveç Allahut. Atë që Ai e ka caktuar në qiell, realizohet në tokë. Faraoni vrau mijëra fëmijë që ti të mos vije, por kur erdhe, pavarësisht tij, u rrite në pallatin e tij. Vërtet, caktimi i Allahut është i pakthyeshëm!
2. Faleminderit, o Musa, nga historia jote mësova se zemra e nënës është e lidhur me fëmijën. Nëna jote kishte të gjithë fëmijët pranë, por zemra e saj ishte tek ti. Sepse më i dashuri për nënën është i vogli derisa rritet dhe i larguari derisa kthehet. Ti ishe të dyja, prandaj Allahu të ktheu tek ajo që të qetësohej zemra e saj.
3. Faleminderit, o Musa, nga historia jote mësova se gruaja në disa raste vlen sa një mijë burra: nëna jote të hodhi në ujë, motra jote të ndoqi, ndërsa Asija të përqafoi dhe të mbrojti.
4. Faleminderit, o Musa, nga historia jote mësova se feja është përzgjedhje dhe dhuratë nga Allahu. Sa i nderuar je kur Zoti yt të thotë: “Të zgjodha për Veten Time”, “Të rrita nën kujdesin Tim” dhe “Të dhashë dashuri nga Unë”!
5. Faleminderit, o Musa, nga historia jote mësova se çdo gjë në univers është ushtar i Allahut. Lumi i rrëmbyeshëm që njerëzit e frikësoheshin, u bë mjet që të çoi drejt armikut tënd për t’i sjellë shkatërrimin.
6. Faleminderit, o Musa, nga historia jote mësova se Allahu i forcon zemrat dhe i qëndrueshmon hapat. Po të mos ishte kështu, nëna jote nuk do të të hidhte në lumë. I fortë është ai që Allahu e forcon, ndërsa i dobët është ai që lihet në veten e tij.
7. Faleminderit, o Musa, nga historia jote mësova se njerëzit kanë nevojë për qetësim. Allahu i tha nënës sate: “Mos ki frikë dhe mos u pikëllo”. Ajo që e shkatërron njeriun nuk është lodhja e trupit, por lodhja e shpirtit.
8. Faleminderit, o Musa, nga historia jote mësova se shpërblimi është sipas veprës. Ajo që sakrifikoi për Allahun, e mori djalin përsëri. Ai që deshi të të largojë nga nëna, Allahu të dha gruan e tij si nënë të dytë.
9. Faleminderit, o Musa, nga historia jote mësova se nuk duhet të mbështes askënd në padrejtësi. Kur mendove se i afërmi yt kishte të drejtë e ndihmove, por kur e kuptove se ishte gabimtar, u largove prej tij.
10. Faleminderit, o Musa, nga historia jote mësova se disa njerëz nuk e vlerësojnë të mirën dhe ndonjëherë goditja vjen nga ai që e ndihmove. Ai për të cilin ndërhyre, ishte ai që të kallëzoi.
11. Faleminderit, o Musa, nga historia jote mësova të mos hesht përballë së keqes. Edhe nëse nuk mund ta ndal, të paktën ta tregoj. Një burrë u përjetësua sepse të paralajmëroi: “Ata po planifikojnë të të vrasin”.
12. Faleminderit, o Musa, nga historia jote mësova të bëj mirë pa pritur shpërblim. Kur u dhe ujë vajzave të Shuajbit, u largove në hije pa kërkuar asgjë.
13. Faleminderit, o Musa, nga historia jote mësova se përzierja mes burrave dhe grave duhet të jetë sipas nevojës dhe se fisniku nuk e shfrytëzon dobësinë e një gruaje. Edhe në turmë, gruaja mund të ruajë nderin e saj.
14. Faleminderit, o Musa, nga historia jote mësova se zbukurimi më i bukur i gruas është turpi (hajaja). Allahu nuk përshkroi pamjen e saj, por tha: “Ajo erdhi duke ecur me turp”.
15. Faleminderit, o Musa, nga historia jote mësova se forca pa besueshmëri bëhet tirani, ndërsa besueshmëria pa forcë nuk ngre shtet. Ti ishe shembulli i “të fortit dhe të besueshmit”.
16. Faleminderit, o Musa, nga historia jote mësova se marrëveshjet duhen respektuar. Ti nuk u nise me familjen derisa përfundove afatin që kishe pranuar.
17. Faleminderit, o Musa, nga historia jote mësova se burri i vërtetë mbron familjen e tij dhe nuk fshihet pas tyre. Sa bukur the: “Qëndroni këtu, unë pashë një zjarr”.
18. Faleminderit, o Musa, nga historia jote mësova se ndonjëherë njeriu del për diçka të kësaj bote, por Allahu i jep më shumë. Ti kërkove zjarr, por Allahu të dha dritë dhe të foli drejtpërdrejt.
19. Faleminderit, o Musa, nga historia jote mësova se mëkatet e njerëzve nuk justifikojnë ashpërsinë e thirrësve. Edhe Faraonit iu tha: “Flisni me të butë”.
20. Faleminderit, o Musa, nga historia jote mësova se njeriu fisnik pranon vlerat e të tjerëve. Ti the: “Vëllai im Haruni është më i rrjedhshëm në të folur”.
21. Faleminderit, o Musa, nga historia jote mësova se vëllai është mbështetje. Ti i kërkove Allahut ta bëjë pjesë të misionit tënd dhe Ai ta forcoi me të.
22. Faleminderit, o Musa, nga historia jote mësova se njeriu i mençur zgjedh kohën e përballjes. Ti zgjodhe ditën e festës për ta përballur Faraonin para gjithë njerëzve.
23. Faleminderit, o Musa, nga historia jote mësova të mos humb shpresën. Magjistarët erdhën kundër teje, por brenda një dite u bënë besimtarë.
24. Faleminderit, o Musa, nga historia jote mësova se Allahu i çon tiranët drejt shkatërrimit të tyre. Faraoni mendoi se po fitonte, por aty ishte fundi i tij.
25. Faleminderit, o Musa, nga historia jote mësova se fuqia është tek Allahu, jo tek mjetet. Shkopi yt i thjeshtë u bë mrekulli dhe ndau detin.
26. Faleminderit, o Musa, nga historia jote mësova se Allahu zgjedh mjete që nuk i pret mendja. Deti u bë armë kundër Faraonit.
27. Faleminderit, o Musa, nga historia jote mësova të mos kem pritje të tepruara nga njerëzit. Ata për të cilët u hap deti, adhuruan viçin.
28. Faleminderit, o Musa, nga historia jote mësova se besimtari zemërohet për hir të Allahut. Kur u cenua teuhidi, reagove fuqishëm.
29. Faleminderit, o Musa, nga historia jote mësova se disa njerëz nuk kënaqen kurrë. Ata thanë: “U munduam para dhe pas teje”.
30. Faleminderit, o Musa, nga historia jote mësova se disa njerëz janë të ashpër dhe të padrejtë. Ata që i shpëtove nga robëria të thanë: “Shko ti dhe Zoti yt të luftoni, ne po rrimë këtu”.
Ad’ham Sharkavij
Hoxhë Rufat Sherifi
