Ankaraja propozon diplomacinë si mjetin e vetëm për zgjidhjen e krizës pas operacionit ushtarak dhe mbrojtjen e sovranitetit kombëtar
Në një moment tensionesh të larta pas bombardimeve amerikane mbi Iran dhe kërcënimeve të njëpasnjëshme të Teheranit, ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Yaşar Güler, shpalos vizionin e Ankarasë për të ardhmen.
Ai thekson se Turqia synon të luajë një rol kyç në rindërtimin e ekuilibrave politikë pas luftës, duke përdorur pozicionin e saj unik gjeopolitik si urë lidhëse mes Lindjes dhe Perëndimit për të krijuar një brez sigurie në rajon.
Trump paralajmëron sulme më të rënda. Sa ju shqetëson përshkallëzimi i situatës?
Kjo situatë dëmton jetën e civilëve të pafajshëm, paqen dhe stabilitetin e rajonit tonë, dhe ndikon thellësisht në ekonominë globale. Prandaj, ne ritheksojmë edhe një herë rëndësinë e dialogut me qëllim vendosjen e një armëpushimi të qëndrueshëm dhe zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve përmes rrugëve paqësore.
A ka ende hapësirë për diplomaci pas deklaratave të fundit të SHBA-së?
Rruga për të parandaluar që tensionet në rajonin tonë të shndërrohen në një konflikt më të gjerë, kalon përmes diplomacisë dhe dialogut. Pavarësisht kushteve aktuale, ne besojmë se ka ende hapësirë për diplomaci dhe është ende e mundur të zgjidhen mosmarrëveshjet mes palëve përmes dialogut. Ne jemi të gatshëm të japim kontributin tonë.
Çfarë roli mund të luajë konkretisht Ankara në shuarjen e këtij konflikti?
Turqia vijon aksionin e saj përmes një diplomacie parimore dhe multidimensionale. Qasja jonë është e qartë: asnjë krizë rajonale s’mund të zgjidhet në mënyrë të qëndrueshme përmes metodave ushtarake. Nevojitet një armëpushim i menjëhershëm për të shmangur zgjatjen e konfliktit dhe për të nisur kontaktet diplomatike. Vendi ynë është një nga të paktët që është në gjendje të dialogojë si me aktorët rajonalë, ashtu edhe me ata perëndimorë.
A mund të sjellë stabilitet ndryshimi i udhëheqjes në Iran?
Turqia i trajton proceset e brendshme politike të vendeve fqinje duke respektuar sovranitetin e tyre. Për ne ka rëndësi që rajoni të fitojë më shumë stabilitet, dialog më të fortë dhe marrëdhënie të bazuara në respektin reciprok. Dhe një siguri e stabilitet i qëndrueshëm në Lindjen e Mesme mund të arrihet vetëm përmes një qasjeje që redukton tensionet dhe bazohet në të drejtën ndërkombëtare.
Si do të reagonit nëse raketat iraniane shkelin sërish hapësirën tuaj ajrore?
Turqia vazhdon me angazhim të madh aktivitetet e saj për të garantuar sigurinë kombëtare dhe për të kontribuar në paqen rajonale e globale. Por besoj se është e rëndësishme të theksohet se s’do të lërë pa përgjigje asnjë kërcënim të drejtuar ndaj territorit apo qytetarëve të saj.
Kemi kapacitetin por edhe vullnetin, për t’iu përgjigjur çdo kërcënimi, qoftë me mjete kombëtare, qoftë brenda kuadrit të aleancës së NATO-s. Megjithatë, qasja jonë nuk është ajo e ushqyerjes së përshkallëzimit, por menaxhimi i rreziqeve me ekuilibër dhe përgjegjësi, duke parandaluar një konflikt më të gjerë.
A i druhet Ankara aktivizimit të milicive kurde përgjatë kufijve të saj?
Në një kontekst konflikti aktiv, nismat që synojnë linjat e thyerjes etnike dhe fetare mund të shkaktojnë kriza politike dhe humanitare shumë më të rënda në rajon. Jemi të vetëdijshëm se organizatat terroriste kërkojnë të shfrytëzojnë çdo vakum të mundshëm pushteti dhe sigurie për të zgjeruar ndikimin e tyre.
Duke respektuar integritetin territorial dhe sovranitetin e vendeve fqinje, Turqia kundërshton përsëritjen në Iran të skenarëve të parë tashmë në Irak dhe Siri. Në këtë kuadër, nuk do të tolerojmë në asnjë mënyrë formimin apo forcimin e strukturave terroriste përgjatë kufijve tanë. /tesheshi
