Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Mësuesja në Luksemburg pushohet nga puna për postime në mbështetje të Palestinës

Mësuesja në Luksemburg pushohet nga puna për postime në mbështetje të Palestinës

Fatima Kurtic

Autoritetet në Luksemburg kanë pushuar nga puna një mësuese të shkollës fillore, Fatima Kurtic, pasi ajo publikoi në rrjetet sociale postime ku kritikonte vrasjen e fëmijëve në Rripin e Gazës dhe shprehte mbështetje për palestinezët.

Ministria e Arsimit e Luksemburgut tha se vendimi u mor pasi postimet e saj u konsideruan antisemitike.

Megjithatë, Kurtic e kundërshton këtë vlerësim, duke theksuar se kritikat e saj ishin të drejtuara ndaj politikave të Izraelit dhe sionizmit, jo ndaj hebrenjve apo fesë hebraike. Ajo tha se gjithmonë ka kundërshtuar krimet e luftës dhe vrasjen e civilëve të pafajshëm.

Pas largimit të saj nga puna, nxënës, prindër dhe mbështetës organizuan protesta paqësore, duke kërkuar rikthimin e saj në detyrë.

Kurtic, e mbijetuar e gjenocidit në Bosnje, deklaroi se shkarkimi i saj cenon të drejtën për lirinë e shprehjes. Ajo ka nisur procedurat ligjore kundër vendimit dhe, së bashku me avokatin e saj, ka paraqitur ankesë zyrtare për shkarkimin.

Ajo shtoi se do të vazhdojë të mbështesë Palestinën dhe të denoncojë, sipas saj, gjenocidin në territoret e pushtuara nga Izraeli, pavarësisht humbjes së vendit të punës. /mesazhi

Exit mobile version