Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Midis Epstein dhe luftës tregtare: pse Trump nuk e shkarkon këtë epsteinas?!

Midis Epstein dhe luftës tregtare: pse Trump nuk e shkarkon këtë epsteinas?!

Howard Lutnick

Besnikëria ndaj presidentit, e vetmja mburojë për Sekretarin e Tregtisë

Mbi gjysma e amerikanëve besojnë se tensionet në Iran janë nxitur nga Donald Trump për të shkëputur vëmendjen nga dosjet e Epstein. Pavarësisht vërtetësisë së kësaj teze, ajo që është e sigurt është se administrata e tij po përpiqet të mbulojë një nga figurat më kontroverse: Howard Lutnick.

Sekretari i Tregtisë, është i lidhur ngushtë me dosjet Epstein. Ai ka pranuar të dëshmojë para Kongresit mbi marrëdhënien e tyre, pasi u zbulua se kishte qenë në kontakt me pedofilin famëkeq edhe dhjetë vjet të tjera pasi pretendonte se i kishte ndërprerë kontaktet.

Megjithatë, në Shtëpinë e Bardhë të Trump, besnikëria dhe pasuria peshojnë më shumë se skandalet. Ndryshe nga paraardhësit e tij, që e shihnin postin e Sekretarit të Tregtisë si ceremonial, Lutnick ka fituar një pushtet të jashtëzakonshëm.

Ai është arkitekti i vizionit proteksionist të Trump-it, duke besuar se tarifat – që shumica e ekspertëve i konsiderojnë një “kurë” ekonomike të dështuar – do t’i sjellin Amerikës një bum zhvillimi të ngjashëm me atë të shekullit XIX-të.

Trump e zgjodhi Lutnick-un për dy arsye. Ata janë miq prej dekadash dhe ndajnë të njëjtin fiksim për “arritjen e marrëveshjeve”. Lutnick e kupton rregullin kryesor: mos e kritiko kurrë Trumpin publikisht. Kjo besnikëri, e shfaqur gjatë viteve, e ka bërë atë të paprekshëm për presidentin.

Megjithatë, rezultatet e punës së tij janë alarmante. Lufta tregtare që ai drejton ka shkaktuar rritje të çmimeve për konsumatorët dhe ka dëmtuar aleancat ndërkombëtare pa sjellë përfitimet e premtuara.

Po ashtu, Lutnick njihet për “zbukurimin” e realitetit. Shembulli më i qartë ishte pretendimi i tij në CNBC se Japonia kishte rënë dakord të investonte 550 miliardë dollarë në projektet amerikane, një marrëveshje që nuk kishte ekzistuar kurrë.

Ky stil negociimi ka shkaktuar zemërim edhe brenda administratës. Zyrtarë të lartë e kanë përshkruar si të paaftë për të kuptuar dinamikat diplomatike, duke qortuar aleatët dhe duke anuluar marrëveshje pa kriter.

Por, siç ndodh shpesh me rrethin e Trump, gabimet profesionale falen për sa kohë nuk ka “tradhti” publike. Sa i përket Epstein-it, Lutnick është përpjekur të minimizojë vizitën e tij në ishullin privat si një “drekë njëorëshe” ku kishte marrë me vete edhe familjen.

Kjo mbrojtje është konsideruar e dobët, sidomos pas zbulimeve të reja se Epstein kishte tentuar të rekrutonte stafin e Lutnick. Po përse nuk po shkarkohet? Arsyeja është e thjeshtë: shkarkimi i Lutnick do të nënkuptonte pranimin se axhenda ekonomike e Trump po dështon.

Për më tepër, lidhjet e tij me Epstein, sado shqetësuese, duken të zbehta kur krahasohen me historikun e vetë Trumpit. /tesheshi

Exit mobile version