Mijëra izraelitë kanë protestuar në Tel Aviv duke kërkuar krijimin e një komisioni shtetëror hetimor për sulmet e 7 tetorit 2023 në jug të Izraelit, raportojnë mediat izraelite, përfshirë Haaretz.
Sipas raportimeve, protesta të tjera janë mbajtur edhe në Jerusalem dhe Haifa. Protestuesit kanë kërkuar kthimin e mbetjeve mortore të pengut të fundit izraelit nga Gaza, si dhe i kanë bërë thirrje presidentit Isaac Herzog të refuzojë kërkesën për falje të kryeministrit Benjamin Netanyahu.
Netanyahu, i cili përballet me akuza për korrupsion në tri çështje të ndara, ka paraqitur zyrtarisht kërkesën për falje muajin e kaluar. Ai gjithashtu është nën presion të vazhdueshëm për të dhënë llogari për dështimet e sigurisë që çuan në sulmet e 7 tetorit, me kritikët që e akuzojnë se ka shmangur përgjegjësinë. /mesazhi
