Mijëra irakianë u mblodhën në kryeqytetin Bagdad për të shprehur solidaritet me Iranin, duke iu përgjigjur thirrjes së autoritetit më të lartë fetar në vend.
Protestuesit kërkuan nga qeveria irakiane të ndalojë përdorimin e hapësirës ajrore dhe territorit të Irakut nga Izraeli dhe aleatët e tij për sulme ndaj vendeve fqinje, përfshirë Iranin.
Tubimi vjen në një kohë tensionesh të larta në rajon dhe kërcënimesh të fundit nga SHBA ndaj udhëheqjes iraniane.
“Mbështesim qëndrimin e udhëheqësit tonë të madh. E refuzojmë plotësisht arrogancën dhe agresionin. Do të fitojmë me dëshirën e Zotit, jo vetëm në Iran, por edhe në Palestinë, Gaza, Liban dhe Siri,” tha një protestues për Al Jazeera.
Ndërkohë, Haytham Al-Juburi, një banor i Bagdadit, shtoi: “U bëjmë thirrje shteteve të tjera arabe dhe myslimane të refuzojnë agresionin ndaj Republikës Islamike të Iranit. Ku janë ata në këtë fushatë kundër një kombi mysliman? Iranianët janë fqinjët tanë dhe ne qëndrojmë krah tyre.” /mesazhi
