Ballina Lajmet Kosovë Ministritë përkatëse mbështesin personat me aftësi të kufizuara në Kosovë

Ministritë përkatëse mbështesin personat me aftësi të kufizuara në Kosovë

Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Shoqata e Paraplegjikëve dhe Paralizës së Fëmijëve të Kosovës (HANDIKOS) sot nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi, e cila ka për qëllim financimin e projektit për krijimin e mundësive në hapjen e punishtes së karrocave.

Në një njoftim nga Ministria e Shëndetësisë bëhet e ditur se nëpërmjet kësaj marrëveshjeje do të mundësohet mbështetja e këtyre dy ministrive për “HANDIKOS”, për hapjen e punishtes për prodhimin dhe montimin e karrocave për personat me aftësi të kufizuara.

Me këtë rast, zëvendësministri i Shëndetësisë, Izet Sadiku, u shpreh se ky projekt mundëson që kjo kategori njerëzish të integrohen në shoqëri dhe të kontribuojnë për vendin e tyre.

“Institucionet e vendit në vazhdimësi kanë punuar për krijimin e kushteve më të mira për këtë kategori, derisa, mendoj se ky është një prej projekteve më të qëlluara, ngase, punishtja për prodhimin dhe montimin e karrocave i ndihmon vetë personat me aftësi të kufizuara të vendit tonë, të ndjehen kontribut-dhënës dhe të barabartë në mesin e shoqërisë”, tha zëvendësministri Sadiku.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, theksoi se realizimi i këtij projekti është rezultat i njerëzve të mire. Ai shtoi se ky projekt është i pamatshëm me vlera monetare.

Kurse drejtori i “HANDIKOS”-it, Afrim Maliqi tha se me realizimin e këtij projekti është dhënë një mbështetje e madhe jo vetëm për personat me aftësi të kufizuara por, për gjithë shoqërinë.

Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje personat me aftësi të kufizuar, në veçanti fëmijët do të pajisen me karroca të përshtatshme, të cilat do të ndikojnë në përfshirjen e tyre në jetën kulturore, ekonomike – sociale dhe politike. Kjo marrëveshje, bashkëfinancohet nga MSH dhe MPMS, ndërsa implementohet nga OJQ “ HANDIKOS”.

Exit mobile version