Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit e Shqipërisë, Delina Ibrahimaj, ka deklaruar se ekonomia shqiptare gjatë viteve të fundit ka pasur një stabilitet në rritje, raporton Anadolu.
Në një konferencë për mediat, ministrja Ibrahimaj u fokusua në zhvillimet në sektorët e ekonomisë dhe treguesit kryesorë mbi rritjen e ekonomisë.
Ajo theksoi se shifrat tregojnë se ekonomia shqiptare përgjatë gjithë vitit 2025 ka treguar një stabilitet makroekonomik, që aktiviteti i sektorit privat ka vijuar të rritet dhe gjithashtu sipas saj një klimë biznesi e cila nxit investimet.
“Ekonomia përgjatë gjithë viteve të fundit të periudhës postpandemi (COVID-19) ka pasur një stabilitet në rritje dhe është luhatur nga 3,5-4 për qind, ndërkohë po jetojmë në një situatë gjeopolitike e cila ka paqartësi dhe në fakt treguesit kryesorë makroekonomikë të Evropës tregojnë për këtë situatë të paqartë”, tha Ibrahimaj.
Ajo shtoi se një element kyç i stabilitetit makroekonomik janë çmimet dhe se inflacioni përgjatë vitit 2025 është rritur me 2,2 për qind, sipas saj një normë e cila është brenda kufirit të Bankës së Shqipërisë.
“Rritja e numrit të bizneseve dhe rritja e të ardhurave është reflektuar në treguesit e tregut të punës, ku për shifrën më të fundit për tremujorin e tretë kanë qenë në rritje dhe papunësia ka mbetur në një nivel stabël”, theksoi Ibrahimaj.
Ibrahimaj shtoi ndër të tjera për nëntëmujorin e parë të vitit 2025 investimet totale u rritën me 4,2 për qind.
Duke folur për sektorin e turizmit ajo tha se në vitin 2025 ishin mbi 12 milionë turistë të huaj që erdhën në Shqipëri. Ajo shtoi se turizmi në nëntëmujorin e parë të viti kaluar është rritur me 15 për qind.
