Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së votoi për të zyrtarizuar procedurat hetimore në procesin e impiçmentit ndaj presidentit Donald Trump, duke ndërmarrë një nga hapat më seriozë në këtë proces deri më tani, raporton Anadolu Agency (AA).
Në votimin i cili rezultoi me 232 për dhe 196 kundër, dy demokratë iu bashkuan radhëve të 194 republikanëve të cilët unanimisht kundërshtuan rezolutën. Kongresisti i pavarur Justin Amash, i cili u largua nga Partia Republikane në maj për shkak të mosmarrëveshjeve me udhëheqjen, mbështeti zyrtarizimin.
Rezoluta përmban një sërë rregullash që do të rregullojnë procedurat e ardhshme, ndërkohë që Dhoma e Përfaqësuesve vazhdon hetimin e saj. Në një reagim kundër akuzave republikane për mungesë transparence, masa zhvendos seancat dëgjimore në të ardhmen në ekranet e televizionit kombëtar dhe autorizon publikimin e transkripteve të seancave për publikun.
Trump dhe mbrojtësi i tij gjithashtu do të lejohen të marrin pjesë në proces gjyqësor, duke u dhënë atyre mundësinë për të kërkuar dëshmitarë.
Hetimi në procesin e impiçmentit ka të bëjë me atë nëse Trump ka abuzuar me autoritetin e zyrës së tij në kërkimin e ndihmës së një lideri të huaj për të hetuar rivalin politik Joe Biden, i cili do të garojë në zgjedhjet e vitit 2020.
Sipas një telefonate të 25 korrikut të bërë publike nga një informator anonim, Trump në mënyrë të përsëritur i ka kërkuar presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky të hapte një hetim për korrupsion ndaj ish-presidentit Joe Biden dhe djalit të tij Hunter, me pretendime të pakonfirmuara.
