Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Mitsotakis: Greqia nuk do t’i japë Ukrainës tanke ‘Leopard 2’

Mitsotakis: Greqia nuk do t’i japë Ukrainës tanke ‘Leopard 2’

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, ka bërë të ditur se Greqia nuk do t’i japë Ukrainës tanke ‘Leopard 2’ të prodhimit gjerman, duke argumentuar se Athina tashmë i ka dhënë Kievit mbështetje të konsiderueshme ushtarake, përfshirë transportuesit e blinduar të personelit, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ne nuk do t’i japim tanke ‘Leopard 2’ për arsyen e thjeshtë se ato janë absolutisht të nevojshme për gjendjen tonë të mbrojtjes”, tha kryeministri Mitsotakis për gazetën japoneze të lajmeve ‘Nikkei Asia’.

“Ne gjithashtu e kemi bërë të qartë se jemi të gatshëm të mbështesim Ukrainën, por jo në kurriz të aftësive tona të mbrojtjes”, shtoi ai.

Më 25 janar, SHBA-ja njoftoi se do të dërgojë tanke ‘Abrams’ në Ukrainë, ndërsa Gjermania tha se do ta furnizojë Ukrainën me tanke ‘Leopard 2’ dhe gjithashtu do të lejojë aleatët të dërgojnë automjetet e tyre të blinduara të prodhimit gjerman në Kiev.

Ukraina për disa kohë ka bërë presion për tanket dhe për armë të tjera si raketat me rreze të gjatë, duke argumentuar se ato janë të nevojshme për të luftuar një ofensivë ruse që pritet këtë pranverë.

Në lidhje me tensionet e vazhdueshme midis Athinës dhe Ankarasë, kryeministri grek pretendoi se ato kanë të bëjnë me zgjedhjet turke që priten të mbahen më 14 maj.

“Unë nuk jam i shqetësuar për një konflikt të mundshëm”, tha Mitsotakis.

Türkiye, një anëtare e NATO-s për më shumë se 70 vjet, është ankuar për veprimet dhe retorikën e përsëritur provokuese të Greqisë në rajon gjatë muajve të fundit, përfshirë armatimin e ishujve pranë brigjeve turke që janë çmilitarizuar sipas obligimeve të traktatit. Ankaraja thotë se lëvizjet pengojnë përpjekjet e saj me mirëbesim për paqen.

 

Exit mobile version