Ballina Artikuj Mjekra në shoqërinë osmane

Mjekra në shoqërinë osmane

Behar Kaçeli

Mjekra te osmanët ishte simbol i diturisë dhe urtësisë, prandaj nuk mund ta mbanin të gjithë.

Në shoqërinë osmane, mjekra ishte një simbol statusi me kuptime të ndryshme, si: dituria, mosha, pjekuria, përvoja, respekti dhe fuqia (pushteti).

Mjekra, sidomos tek grupe të caktuara si ushtarët dhe shtresa e dijetarëve (ilmiye), ishte e detyrueshme ose e inkurajuar, ndërsa për princat (shehzadet) ishte e ndaluar, ata nuk mund të mbanin mjekër për sa kohë jetonte babai tyre.

Kjo vinte nga fakti se mjekra konsiderohej shenjë e pushtetit dhe e sovranitetit, pra vetëm sulltani kishte të drejtë ta mbante nga meshkujt e dinastisë.

Kuptimet që mbante lëshimi i mjekrës në Perandorinë Osmane

Pjekuri dhe respekt:

Ajo shihej si tregues i përvojës, pjekurisë, dinjitetit dhe respektit. Për këtë arsye, dijetarët e moshuar shpesh inkurajoheshin ta lëshonin mjekrën e tyre të bardhë për të theksuar urtësinë e pjekurinë.

Status dhe fuqi:

Mjekra ishte simbol i burrërisë dhe forcës. Në disa shtresa, si te jeniçerët dhe poseduesit e timareve, lënia e mjekrës ishte e detyrueshme.

Kuptime të ndara sipas shtresave:

• Shehzadet:

Lënia e mjekrës u ndalohej princave osmanë, sepse mjekra konsiderohej simbol i sundimit dhe mund të interpretohej si pretendim për fronin. Ata pritej të shfaqeshin vetëm me mustaqe.

• Shtresa e dijetarëve (ilmije):

Për dijetarët dhe ulemanë e dalë nga medresetë, mjekra simbolizonte respekt dhe autoritet, prandaj lënia e saj inkurajohej.

Duaja e mjekrës

Në shoqërinë osmane duaja e mjekrës nuk është trajtuar si obligim apo e transmetuar nga Profeti Muhamed s.a.v.s. por është konsideruar si mënyra më e mirë e nijetit që të dalloheshin ata që e lenin mjekrën si synet nga ata që e mbanin për adet.

Teksti i duasë:

“Elhamdu lillâhi câilul-lihjeti min fitrati’l-islâm vesselâtu vesselâmu alâ eshref i’r-rusuli’l-kirâm. Ve alâ âlihi ve ashâbihi’l-fihâm. Allâhumme ahji men â’fa’l-lihyete vahfadh’hu min cemî’il-mihneti vesluk bihâ fî tariki ehli’s-sunneti ve ekrimhu bishefâati shefî’il-ummeti ve ekrimhu bitavâfil-Kâbeti fi’l-harami. Ve bigasli lihyetihi min mâi zem zem ve bizijâreti raudati’n-nebijje’l-muhterem. Ve sallallâhu alâ sejjidinâ Muhammedin ve âlihi ve sahbihi exhmain. Ve selâmun ale’l-murselin velhamdu lillâhi rabbi’l-âlemin”.

——‐——–

Falënderimi i takon Allahut, i Cili e bëri mjekrën pjesë të natyrës (fitres) islame. Paqja dhe bekimi qofshin mbi më të nderuarin prej pejgamberëve, mbi familjen e Tij dhe mbi shokët e Tij fisnikë.

O Zoti im, gjallëroje dhe nderoje atë që lë mjekër, ruaje nga çdo vështirësi. Dhuroja atij hirin të ecë në rrugën e Ehli Sunetit, ta përfitojë ndërmjetësimin e Profetit tonë (paqja qoftë mbi të), ta vizitojë Qaben e Shenjtë, ta lajë mjekrën me ujin e Zemzemit dhe ta vizitojë varrin e Profetit tonë (s.a.v.).

Mëshira e Allahut qoftë mbi Profetin tonë, Muhammed Mustafan (s.a.v.), mbi familjen e Tij, mbi të gjithë shokët e Tij dhe mbi të gjithë pejgamberët.

Dhe falënderimi i takon vetëm Allahut, Zotit të botëve”.

Behar Kaçeli

Exit mobile version