Ballina Lajmet Kosovë MMPH: Mbrojta e Mjedisit po bëhet prioritet nga Qeveria

MMPH: Mbrojta e Mjedisit po bëhet prioritet nga Qeveria

Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, për krijimin e Task Forcës për pastrimin e mjedisit në periudhën 15 shtator- 15 dhjetor 2018, është edhe një dëshmi që për herë të parë mbrojtja e mjedisit po bëhet prioritet qeveritar në Republikën e Kosovës.

Ky vendim është garanci e suksesit të rrugës për krijimin e një mjedisi të pastër për ne dhe brezat që vijnë.

Ministrja e MMPH-së, Albena Reshitaj si koordinatore e kësaj Task Force, së bashku me Kryeministrin, ministrat, shoqërinë civile, FSK-në, KFOR-in dhe të tjerët do të sigurojnë një aksion gjithëpërfshirës dhe të suksesshëm për pastrimin dhe gjelbërimin e Kosovës.

Paralelisht me aksionin e pastrimit të Kosovës në nivel nacional, nga muaji shtator, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor do të filloj me zbatimin e Udhëzimit për Gjobat Mandatore, ku përmes gjobitjes së qytetarëve që hedhin mbeturina jashtë vendeve të caktuara do të ndalim ri-krijimin e deponive ilegale të mbeturinave.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, fton të gjithë qytetarët e Kosovës që të raportojnë të gjithë ata që në një apo formë tjetër ndotin mjedisin ku jetojmë duke vepruar kështu së bashku në ruajtjen dhe mbrojtjen mjedisit.MMPH-ja, së fundmi në “Ditën Botërore të Mjedisit” më 5 qershor 2018 ka realizuar aksion të pastrimit në 26 komuna të Kosovës duke pastruar kështu dhjetëra deponi ilegale.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, po ashtu ka mirëpritur edhe vendimin tjetër të Qeverisë së Kosovës për miratim të Projektligjit për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja, që ka për qëllim të ofrojë një bazë për zhvillimin e masave të komunitetit për zvogëlimin e ndotjes së ajrit nga burimet e mëdha, në veçanti nga industria, amvisëria, shërbimet publike dhe private, automjetet e transportit dhe infrastruktura.

Projektligji për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja është hartuar në harmoni me standardet evropiane, sipas teknikave të reja juridike, me një koncept fleksibil, të zbatueshëm në sistemin juridik të Republikës së Kosovës.

Exit mobile version