ëse macja juaj ka filluar të mjaullijë më shumë se zakonisht, duket e hutuar, fle gjatë ditës dhe endet pa qëllim nëpër shtëpi mund të mos jetë thjesht plakje. Mund të jetë një shenjë e hershme e diçkaje shumë më serioze, demenca.
Një studim i publikuar nga Universiteti i Edinburgut ka zbuluar se sëmundja e Alzheimerit mund të prekë edhe macet, duke shkaktuar te to simptoma dhe ndryshime në tru të ngjashme me ato që shfaqen te njerëzit.
Studiuesit analizuan trurin e 25 maceve që kishin ndërruar jetë, disa prej të cilave kishin shfaqur sjellje të lidhura me demencën. Ata zbuluan grumbullime të proteinës toksike amiloid-beta një nga shenjat kryesore të sëmundjes së Alzheimerit që dëmton lidhjet ndërmjet qelizave të trurit dhe ndikon negativisht në kujtesë, të menduar dhe sjellje.
Simptomat e demencës te macet përfshijnë mjaullima të shtuar, hutim, dezorientim hapësinor, çrregullime të gjumit, neglizhencë në higjienën vetjake dhe sjellje të pazakonta si të fikurit në një pikë pa arsye apo të harruarit që kanë ngrënë.
Sipas studiuesve, këto ngjashmëri në strukturat dhe proceset e trurit mund t’i bëjnë macet një model më të saktë për studimin e sëmundjes krahasuar me kafshët laboratorike të zakonshme, siç janë brejtësit, të cilët nuk preken natyrshëm nga demenca.
Ky zbulim mund të ndihmojë në zhvillimin e trajtimeve të reja për njerëzit me Alzheimer, si dhe për macet që vuajnë nga e njëjta sëmundje. Sipas Dr. Robert McGeachan, udhëheqës i studimit, trajtimet e reja që janë duke u zhvilluar për njerëzit përfshirë ilaçet që synojnë proteinën amiloid-beta mund të kenë efekt edhe te macet.
Studiuesit theksojnë se demenca është po aq shkatërruese për kafshët sa edhe për njerëzit, si për veten e tyre, ashtu edhe për kujdestarët që i duan dhe kujdesen për to. Prandaj, studime si ky janë të rëndësishëm për të kuptuar më mirë sëmundjen dhe për të gjetur mënyra të reja për ta trajtuar.
Rezultatet janë publikuar në revistën shkencore European Journal of Neuroscience dhe pritet të hapin rrugën për kërkime të mëtejshme mbi trajtimin e demencës si te njerëzit, ashtu edhe te kafshët.
