Rasti i vdekjes tragjike të hoxhës nga Dragashi edhe një herë e shpërfaqi gjendjen tragjikomike mes shqiptarësh, sidomos islamofobinë nga ana e katolikëve, dhe jo vetëm. Fenomen ky për të cilin kam shkruar para disa muajsh dhe të cilin po e sjell edhe sot.
Ka kohë që kam filluar të mendoj se ndoshta po e gënjejmë veten kur themi se jemi populli më tolerant ndaj atyre që kanë përkatësi tjetër fetare. Mendoj se fenomeni relativisht i ri i internetit dhe i rrjeteve sociale na ka zbuluar një realitet jo pak të hidhur, i cili flet për një nivel të caktuar intolerance të një pjese jo të vogël të shqiptarëve ndaj shqiptarëve me përkatësi tjetër fetare.
Ndoshta mund të jem paksa subjektiv, por nga ajo që kam hasur prej kohësh, më duket se një pjesë e komunitetit katolik shqiptar shpesh shfaq më shumë intolerancë dhe jo pak ofendime ndaj komunitetit mysliman shqiptar. Këtë e has pothuajse çdo ditë në shkrime, ligjërata apo prononcime informuese dhe paqësore që bëhen nga myslimanët shqiptarë. Shpesh ndodh që në këto hapësira të hyjnë komentues katolikë shqiptarë dhe të lënë komente tejet ofenduese dhe nënçmuese në aspektin fetar.
Përveç ofendimeve ndaj personaliteteve fetare islame, shpesh hasen edhe sharje shumë të ulëta, të bëra pa asnjë shkak të arsyeshëm, por thjesht nga një urrejtje e pakuptimtë ndaj “vëllezërve” të tyre shqiptarë myslimanë. Kushdo që dëshiron ta vërtetojë këtë që po them, mund të hyjë në faqet e disa hoxhallarëve dhe të lexojë postimet e tyre, të cilat zakonisht janë të shkruara me tone të arsyeshme dhe pa ofenduar askënd. Megjithatë, në komentet poshtë tyre shpesh gjenden reagime fyese, sidomos nga disa komentues katolikë, të cilët nuk hyjnë aty për t’u informuar apo për të debatuar në mënyrë të qytetëruar, por vetëm për të nënçmuar dhe ofenduar hoxhallarët, Islamin dhe komunitetin mysliman shqiptar.
Nuk pretendoj se disa myslimanë shqiptarë nuk veprojnë në mënyrë të ngjashme ndaj shqiptarëve katolikë. Edhe nga ana e tyre ka raste ofendimesh dhe sharjesh. Megjithatë, sipas asaj që kam vërejtur, numri i tyre dhe gjuha e përdorur nuk duket të jenë në të njëjtin nivel me atë që shpesh përdoret nga disa komentues katolikë ndaj myslimanëve.
Për fat të keq, trashëgimia e shkëlqyer e harmonisë fetare, e ndërtuar ndër breza nga hoxhallarët dhe priftërinjtë, duket se në dekadat e fundit po zbehet. Çdo ditë e më shumë, porositë e arta që ata na kanë lënë rrezikojnë të mbeten vetëm si kujtime në disa shkrime, si ky i imi sot. Apo ndoshta kjo harmoni fetare ishte vetëm një iluzion nga ana jonë; një iluzion që, duke e përsëritur shpesh në mendjet dhe në shkrimet tona, u bë realitet për ne, por jo për të tjerët. Harruam se të tjerët ndiheshin ndryshe karshi nesh, ose ndoshta deshëm ta harronim këtë. Pra, përderisa kjo ndjenjë ekzistonte në mesin tonë, ne vetvetiu e përgjithësuam, e bëmë universale. E tani, kur balancat e fuqisë u bënë më të pabarabarta, u gjendëm të mbështetur për muri, ndoshta deri diku edhe të lënduar nga një realitet që nuk është i sotëm, por që është maskuar relativisht mirë, madje edhe nga vetë ne. Ne morëm porosi, por jo gjithmonë porositë e shpërfaqin vullnetin e atyre në emër të të cilëve flitet, të paktën jo të anës tjetër. Sidoqoftë, ato porosi janë të vlefshme dhe meritojnë të përjetohen kur lexohen, e jo të përdoren si prova të pabaza për të mbuluar një realitet ekzistues.
Ndër këto porosi të çmuara janë:
“Pa bashkim të shqiptarëve, pa dallim feje, nuk mund të ketë Shqipëri të fortë.” (Hoxhë Vehbi Agolli, Myftiu i Shqipërisë dhe delegat i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.)
“Vërtet kemi Bajram e Pashkë, por Shqipninë e kemi bashkë.” (Gjergj Fishta, prift françeskan dhe figurë e shquar e kulturës shqiptare.)
“Shqiptari duhet ta respektojë fenë e tjetrit si të vetën.” (Anton Harapi)
“Bashkimi i shqiptarëve është më i fortë se çdo dallim feje.” (Haxhi Zeka, udhëheqës dhe personalitet i shquar i Lidhjes së Pejës.)
*Hoxhë i njohur në një nga xhamitë e Prishtinës
