Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Mostar, shënohet 19-vjetori i vdekjes së Boris Trajkovskit

Mostar, shënohet 19-vjetori i vdekjes së Boris Trajkovskit

Në lokacionin Matiq afër Mostarit, Bosnjë e Hercegovinë, sot është shënuar 19-vjetori i vdekjes së Boris Trajkovskit, ish-presidentit të Maqedonisë së Veriut, i cili humbi jetën tragjikisht në një aksident ajror, raporton Anadolu.

Në vendin e fatkeqësisë ku Trajkovski humbi jetën u vendosën lule nga delegacionet e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës (BeH) dhe Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

“Nëntëmbëdhjetë vjet pas tragjedisë që ndodhi këtu, në të cilën humbi jetën tragjikisht presidenti i Maqedonisë së Veriut, ne përkujtuam këtë ditë. Dua t’ju kujtoj se z.Trajkovski ishte mik i Bosnjë e Hercegovinës. Një mik i të gjithë popujve të saj. Një njeri që e donte të mirën për vendin e tij, por edhe për të gjithë rajonin. Ai ia kushtoi jetën e tij të punës si President i Republikës përhapjes së miqësisë në rajon. Miqësia mes Bosnjë e Hercegovinës dhe Maqedonisë së Veriut zgjat dhe do të zgjasë përgjithmonë. Dëshirojmë që përveç përkujtimit të sotëm ta falënderojmë”, tha ministri i Sigurisë së BeH-së, Nenad Neshiq.

Në emër të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut mori pjesë edhe ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

“Sot shënojmë 19-vjetorin e vdekjes tragjike të Boris Trajkovskit, delegacionit dhe pilotëve të tij. Fatkeqësisht, ata humbën jetën në këtë vend. Si çdo vit, ne kemi mbështetjen e Bosnjë e Hercegovinës vëllazërore për të kujtuar gjithçka që ai bëri. Trajkovski ishte njeri me vlera universale, i cili punoi për paqen dhe dashurinë, jo vetëm për veten e tij, por edhe për të gjitha vendet e rajonit. Një falënderim i veçantë për kolegun tim Nenad Neshiq dhe miqtë nga Bosnjë e Hercegovina dhe qyteti i Mostarit, të cilët së bashku me ne kujtojnë Trajkovskin dhe bashkëpunëtorët e tij. Faleminderit që jeni këtu dhe që keni përcjellë mesazhe nga këtu”, tha Spasovski.

Boris Trajkovski humbi jetën më 26 shkurt të vitit 2004 në një aksident ajror së bashku me bashkëpunëtorët e tij gjatë një udhëtimi për në Konferencën Ndërkombëtare të Investimeve në Mostar.

Në aksidentin ajror humbën jetën edhe këshilltarët e kabinetit të tij Dimka Ilkova-Boshkoviq, Risto Blazhevski dhe Anita Lozanovska, punonjësi i MPJ-së së Maqedonisë, Mile Kërstevski, anëtarët e sigurimit Boris Velinov dhe Ace Velinovski si dhe pilotët Marko Markovski dhe Branko Ivanovski.

Exit mobile version