Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se pas përfundimit të periudhës informuese më 15 mars, nga 16 marsi do të nisë aplikimi për lejeqëndrim dhe deklarim të adresës në përputhje me Ligjin për të Huajt dhe Ligjin për Automjete. Ky veprim vjen pas deklarimeve të kryeministrit Albin Kurti dhe përfaqësuesit special të BE-së Peter Sorensen.
MPB-ja gjithashtu bëri të ditur se për një periudhë tre mujore do të mundësohet regjistrimi në Regjistrin Civil të Kosovës i lindjeve, martesave dhe vdekjeve që janë regjistruar deri më 15 mars 2026 në institucionet paralele serbe.
Po ashtu, do të lejohet njohja e përkohshme e kartave të identitetit të lëshuara nga këto struktura, vetëm për qëllime identifikimi.
Ministria njoftoi se shtetasit e huaj janë të obliguar të deklarojnë adresën brenda tre ditëve nga hyrja në Kosovë, përmes aplikacionit të Policisë së Kosovës, ueb-faqes ose në stacionin më të afërt policor.
