Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka njoftuar se përdorimi i xhamave të errët në automjete është i rregulluar qartë me legjislacionin në fuqi dhe se çdo praktikë jashtë këtyre rregullave është e kundërligjshme.
Sipas njoftimit, bazë ligjore për këtë çështje janë Ligji Nr. 05/L-132 për Automjete dhe Udhëzimi Administrativ Nr. 12/2024 për Regjistrimin e Mjeteve, konkretisht neni 7 i këtij udhëzimi.
MPB thekson se lejohen vetëm xhamat e errët që janë të tillë nga prodhuesi i automjetit, ndërsa vendosja e folieve apo letrave ngjitëse për errësim është e ndaluar. Përjashtimet mund të bëhen vetëm në raste të veçanta, me vendim të ministrit, pas një kërkese të arsyetuar dhe dokumentacioni përkatës.
Për më tepër, Departamenti Ligjor i MPB-së ka dhënë opinion zyrtar më 24 shkurt 2026, duke sqaruar se këto dispozita janë të qarta dhe obligative për zbatim dhe se nuk lënë hapësirë për interpretime të ndryshme.
Sipas MPB-së, çdo interpretim apo veprim në kundërshtim me këto rregulla cenon zbatimin e ligjit dhe nuk ka bazë ligjore.
Institucioni thekson se këto masa janë vendosur për të rritur sigurinë në trafik, për të lehtësuar kontrollin nga organet e rendit dhe për të parandaluar veprimtaritë e paligjshme.
Në fund, MPB u ka bërë thirrje qytetarëve dhe institucioneve që të respektojnë ligjin dhe të mos bien pre e keqinformimeve lidhur me përdorimin e xhamave të errët në automjete.
