Ballina Lajmet MPJ e Turqisë reagon ndaj Pentagonit lidhur me PKK-në

MPJ e Turqisë reagon ndaj Pentagonit lidhur me PKK-në

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Turqisë, Hami Aksoy, ka reaguar ndaj deklaratës së zëdhënësit të Pentagonit lidhur me organizatën terroriste PKK, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Zëdhënësi i Pentagonit ka vazhduar të flasë pallavra”, tha Aksoy në lidhje me deklaratën e zëdhënësit të Pentagonit, Robert Manning, i cili e përshkroi si “gjeneral Mazlum” personin Ferhad Abdi Şahin që njihet si një nga të ashtuquajturit drejtues i lartë i PKK-së dhe që përdor edhe emrin “Mazlum Kobani”.

“Zëdhënësi i Pentagonit sërish ka vazhduar të flasë pallavra. Ju të gjithë e dini shumë mirë se PYD/PKK-ja është organizatë terroriste. Kohë më parë u publikua një lajm ku duke përfshirë edhe institucionet zyrtare të SHBA-ve u vërtetua me prova konkrete se PYD/YPG është pjesë e PKK-së. Besoj se për këtë ka dijeni edhe zëdhënësi i Pentagonit. Ne e kemi bërë deklaratën e nevojshme. Zëdhënësi i Pentagonit edhe më parë ka bërë deklarata të ngjashme. Gjithashtu edhe ne sërish do të bëjmë një deklara për këtë çështje”, tha Aksoy në takimin informues në ministri.

Ai theksoi se janë të caktuara pritshmëritë e Turqisë nga SHBA-të në kuadër të grupeve të punës dhe mekanizmit të përbashkët të formuar si rezultat i bisedimeve të ministrit të Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu dhe Sekretarit amerikan të Shtetit Rex Tillerson.

“Kërkojmë dorëzimin e armëve nga PYD/YPG-ja. Në takimin që do të mbahet më 8-9 mars këto çështje do të diskutohen sërish. Do të ribisedohet për Sirinë, zhvillimet atje si dhe për çështjen e Munbixhit”, tha Aksoy.

Zëdhënësi i Pentagonit Manning pas një pyetjeje e ka përshkruar si “gjeneral Mazlum” njërin nga krerët e PKK-së, Ferhad Abdi Şahin, i cili përdor edhe emrin “Mazlum Kobani”.

“Do të vazhdojmë të mbështesim gjeneralin Mazlum dhe këshillat ushtarakë lokalë në vendet e marra nga DEASH-i në Siri përsa kohë që ata vazhdojnë luftën kundër DEASH-it”, ka thënë Manning.

Exit mobile version