Somalia po përballet me një krizë gjithnjë e më të thellë shëndetësore dhe ushqimore, si pasojë e dështimit të njëpasnjëshëm të stinëve të shirave, rritjes së çmimeve të ujit dhe shkurtimeve të mëdha të ndihmës humanitare, ka paralajmëruar organizata Mjekët pa Kufij (MSF).
Sipas MSF-së, ekipet e saj në Somali po shohin një rritje shqetësuese të numrit të fëmijëve që mbërrijnë në kampe të mbipopulluara zhvendosjeje, duke vuajtur nga kequshqyerja e rëndë akute ose nga sëmundje të parandalueshme si fruthi, difteria dhe diarreja akute.
“Po shohim fëmijë që mbërrijnë në spitalet tona në gjendje kritike, shpesh pas ditësh udhëtimi pa ushqim dhe ujë,” tha Allara Ali, koordinatore projekti e MSF-së në Somali.
Qeveria somaleze shpalli gjendje emergjence për shkak të thatësirës në nëntor, por agjencitë humanitare thonë se reagimi ka qenë i pamjaftueshëm, ndërsa fondet kanë rënë në nivelin më të ulët të dekadës së fundit.
Somalia renditet ndër vendet më të rrezikuara nga ndryshimet klimatike dhe është goditur vazhdimisht nga thatësira dhe përmbytje. Pas katër stinëve radhazi pa reshje të mjaftueshme, OKB-ja ka paralajmëruar se deri në fund të vitit 2025 rreth 4.4 milionë persona mund të përballen me mungesë të rëndë ushqimi, përfshirë 1.85 milionë fëmijë nën moshën pesë vjeç në rrezik nga kequshqyerja akute.
Më shumë se 3.3 milionë njerëz janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre, duke u grumbulluar kryesisht në kampe në Baidoa dhe Mudug. Ndërkohë që nevojat janë rritur, ndihma është zvogëluar ndjeshëm: që nga fillimi i vitit 2025, mbi 200 qendra shëndetësore dhe ushqimore janë mbyllur, ndërsa ndihma ushqimore mujore ka rënë nga 1.1 milionë përfitues në vetëm 350 mijë.
Në Baidoa, MSF raportoi një rritje prej 48 për qind të rasteve të kequshqyerjes së rëndë në tetor, ndërsa dhjetëra fëmijë u trajtuan për fruth, shumica e tyre të pavaksinuar. Në rajonin Mudug, shtrimet në qendrat terapeutike janë rritur me 35 për qind.
Situata përkeqësohet edhe nga çmimi i lartë i ujit. Në kampet e zhvendosurve, një fuçi me 200 litra ujë kushton nga 2.5 deri në 4 dollarë, çmim i papërballueshëm për shumë familje. Banorët thonë se mungesa e ujit të pastër po shkakton sëmundje të rënda, veçanërisht te fëmijët.
MSF ka nisur furnizimin emergjent me ujë në Baidoa, duke shpërndarë miliona litra ujë të pijshëm, por punonjësit humanitarë thonë se këto masa nuk mjaftojnë për shkak të përmasave të krizës.
“Kjo situatë është e papranueshme, sepse është e parashikueshme dhe kryesisht e parandalueshme,” tha përfaqësuesi i MSF-së në Somali, Elshafie Mohamed, duke bërë thirrje për rritje urgjente të ndihmës, programeve ushqimore, vaksinimit dhe furnizimit me ujë.
Pa një reagim të koordinuar dhe të qëndrueshëm, MSF paralajmëron se vdekjet nga shkaqe të parandalueshme do të vazhdojnë të rriten në muajt në vijim. /mesazhi
