Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, ka bërë të ditur se shtetasit maqedonas janë evakuuar nga Izraeli dhe janë nisur drejt Shkupit me avion qeveritar, transmeton Anadolu.
Në një postim në rrjetin social amerikan X, Mucunski tha se siguria e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut mbetet prioriteti kryesor i autoriteteve. Ai theksoi se ministria ka koordinuar plotësisht procesin e evakuimit të shtetasve maqedonas nga Izraeli, të cilët pasdite u nisën nga Sharm el-Sheikh drejt Shkupit me avion qeveritar.
Sipas tij, ky është një proces që kërkoi angazhim të konsiderueshëm nga përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të vendit, respektim të plotë të procedurave të sigurisë dhe koordinim të vazhdueshëm mes institucioneve kompetente.
Mucunski gjithashtu njoftoi se është përmbyllur procedura për lidhjen e një kontrate me një kompani që pritet të fillojë në ditët në vijim realizimin e fluturimeve për evakuimin e shtetasve maqedonas nga zona të tjera të prekura.
“Misionet tona diplomatike dhe konsullore mbeten në dispozicion 24 orë të qytetarëve maqedonas për çdo ndihmë dhe mbështetje të nevojshme”, shkroi ai.
