Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski ka marrë pjesë në një konferencë ministrore në Washington kushtuar “kërcënimeve nga rritja e terrorizmit politik”, ku bëri thirrje për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përshtatjen e institucioneve ndaj formave të reja të dhunës së motivuar politikisht, transmeton Anadolu.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Mucunski mori pjesë në konferencë me ftesë të sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, ku të pranishëm ishin përfaqësues të lartë nga më shumë se 60 shtete, të cilët diskutuan për avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përgatitjes institucionale në përballjen me format bashkëkohore të terrorizmit politik.
Mucunski në fjalën e tij tha se kur dhuna përdoret për të heshtur fjalën politike, për të frikësuar zyrtarët e zgjedhur dhe qytetarët, për të sulmuar organet e rendit ose për të ndikuar në proceset demokratike, atëherë nuk bëhet më fjalë për mospajtime të zakonshme politike, por për “dhunë të organizuar politike e në format e saj më të rënda edhe për terrorizëm”.
Ai tha se shoqëritë e lira nuk duhet të kenë frikë nga debati, pasi demokracia mbështetet në pluralizmin e mendimeve, por theksoi se dhuna politike nuk duhet të bëhet kurrë një mjet legjitim për ndryshime politike.
Duke iu referuar rajonit, Mucunski tha se ky kërcënim paraqet sfidë serioze edhe për Ballkanin Perëndimor si rajon me rëndësi strategjike, si dhe theksoi nevojën për një kuptim më të mirë të proceseve të radikalizimit, identifikimin e mbështetjes financiare dhe logjistike, si dhe vlerësimin nëse aktorë të jashtëm po shfrytëzojnë tensionet e brendshme për qëllime më të gjera strategjike.
Më tej, Mucunski vlerësoi se mjedisi digjital e ka ndryshuar rrënjësisht natyrën e këtij kërcënimi, pasi radikalizimi, propaganda, rekrutimi dhe koordinimi mund të zhvillohen përtej kufijve shtetërorë dhe në kohë reale. Ai gjithashtu tha se si aleate e NATO-s dhe partnere strategjike e SHBA-së, Maqedonia e Veriut është e gatshme të kontribuojë në përpjekjet e përbashkëta për përballimin e këtyre kërcënimeve.
Në margjinat e konferencës, njoftoi ministria, Mucunski zhvilloi një takim pune edhe me homologun e tij izraelit, Gideon Saar.