Ballina Lajmet Kosovë Mungesa e insulinave, ministria flet për vonesat

Mungesa e insulinave, ministria flet për vonesat

Ministria e Shëndetësisë është vonuar me shpërndarjen e insulinave analoge (Novomix, Novorapid) nëpër Qendrat e Mjekësive Familjare.

“Indeksonline” ka kuptuar se kjo vonesë ka mundësi të zgjasë edhe për më shumë se dy javë të tjera.

Megjithatë, Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se në fundin e kësaj jave pritet të nisë shpërndarja e 40 mijë njësive të insulinës analoge, për të vazhduar më pas me furnizime të rregullta.

Faik Hoti, zyrtar për komunikim në MSh, ka thënë për Indeksonline se deri më tani janë bërë furnizime, por me sasi të kufizuara.

“Javën që shkoi, gjithashtu, MSh ka bërë furnizime edhe me Insulinë analoge (në sasi të kufizuara) të ndara në mënyrë proporcionale nëpër QKMF, ndërsa me qëllim të përmbushjes së të gjitha kërkesave për këtë lloj insuline, Ministria ka zhvilluar procedura me afate të shkurtuara për sigurimin e tyre, është nënshkruar edhe kontrata dhe ka fundi i kesaj jave pritet të fillojë shpërndarja e rreth 40 000 njësive të para të Insulinës Analoge, për të vazhduar pastaj me furnizime të rregullta”, ka thënë Hoti.

Ai ka theksuar se insulinat humane janë duke u shpërndarë sipas kërkesave dhe se të tilla ka mjaftueshëm.

“Ministria e Shëndetësisë ka vazhduar edhe këtyre ditëve me shpërndarjen nëpër institucione shëndetësore të sasive të të Insulinës Humane, që ka sasi të mjaftueshme dhe shpërndarja e së cilave po bëhet sipas kërkesave të institucioneve për këtë lloj insuline”, ka deklaruar Hoti.

Exit mobile version