Ballina Lajmet Kosovë Mungesa e ujit të pijshëm, banorët e “Kodrës së Trimave” paralajmërojnë protestë

Mungesa e ujit të pijshëm, banorët e “Kodrës së Trimave” paralajmërojnë protestë

Është një nga lagjet më të mëdha të kryeqytetit.

E të mëdha, duket se i kanë edhe hallet, banoret e “Kodrës së Trimave” në Prishtinë.

Vërshimet e fundit, kanë sjellë sërish reduktimet në këtë lagje.

“Prej një muaj e këndej kemi shumë problem, biles me ditë orarin kur është, në mbrëmje vjen e ndalet. Reduktime ka prej kur kanë qenë vërshimet, prej orës 16:00-04:30 nuk kemi. I thirrmi në telefon më thonë ka, më për lagjen tonë nuk merr kush asgjë. Ne jemi të diskriminuar prej të gjithave, me ujë, me rrugë, me rrymë. Veç ndoshta bëhet mirë inshalla”, thotë Osman Bytyqi – qytetar.

Mungesa e ujit të pijshëm në shtëpi, banorët po i detyrojnë t’i drejtohen marketeve.

”E ndalin ndoshta edhe ditën tri apo katër orë, prej 22:00 e deri në mëngjes nuk kemi ujë. Blejmë ujë për me pi, po thonë e pastrojnë e pastrojnë po bien shi i madh”, thotë Haki Halili.

Kjo gjendje, një mërgimtarit po ia vështirëson pushimet.

“Unë njëzet herë po hije në dite e po dal kurrë nuk po gjejë ujë. Me shërbye, vetëm shërbimi me qenë korrekt nuk duhet asgjë më shumë, ose me i njoftua njerëzit që nuk ka”, shprehet Dili Kadriu- qytetar.

Nga Komuna e Prishtinës, të enjten thanë se kjo problematikë, është përgjegjësi e ujësjellesit

E këta të fundit, fajin ia lanë vërshimeve të fundit teksa premtuan zgjidhje të shpejtë.

“Pas reshjeve të fundit në vendin tonë, është vërejtur një rritje e konsiderueshme e turbullirës së ujit, sidomos në burimet sipërfaqësore dhe në sistemet e furnizimit që varen nga to. Kjo situatë është pasojë e prurjeve të mëdha, të cilat kanë sjellë sedimente dhe materiale të ndryshme në burimet ujore, duke ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e ujit të papërpunuar. Në impiantin e trajtimit në Albanik, aktualisht po punohet me kapacitete minimale për shkak të nivelit të lartë të turbullirës, i cili e vështirëson procesin e trajtimit dhe kërkon masa shtesë për filtrimin dhe pastrimin e ujit. Ekipet teknike janë të angazhuara vazhdimisht për të menaxhuar situatën dhe për të siguruar që uji i shpërndarë të përmbushë standardet e sigurisë. Situata pritet të stabilizohet shpejt”, ka thënë zëdhënësja e KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku.

Ndryshe, nëse gjendja nuk përmirësohet, banorët e “Kodrës së Trimave” kanë paralajmëruar edhe protestë.

Exit mobile version