Ballina Lajmet Kosovë Mustafi: Ligjet për të huajt dhe automjetet prekin direkt shqiptarët e Luginës

Mustafi: Ligjet për të huajt dhe automjetet prekin direkt shqiptarët e Luginës

Politikani nga Lugina e Preshevës, Ragmi Mustafi ka thënë se zbatimi i Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet nga Republika e Kosovës ka nisur që sot, ka implikime të drejtpërdrejta për shqiptarët e Luginës së Preshevës që ende nuk posedojnë dokumente të Republikës së Kosovës e jetojnë në Kosovë prej vitesh.

Sipas tij, ligjet nuk ndalojnë hyrjen e qytetarëve dhe nuk synojnë penalizim, por vendosin qartësi juridike aty ku për vite ka ekzistuar një “zonë gri administrative”.

“Periudha afirmative shërben ekskluzivisht për rregullimin e statusit ligjor të qëndrimit dhe dokumentacionit, për eliminimin e pasigurisë administrative dhe për krijimin e mundësive shtesë në rast nevoje”, ka shkruar Mustafi.

Ai ka rikujtuar se Qeveria e Kosovës ka mundësuar gjithashtu aplikimin për dokumente për qytetarët apatridë ose të pasivizuar në Luginën e Preshevës dhe ka krijuar mundësi për bartjen e pronave të paluajtshme në emrin e tyre.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, gjithashtu, që para tri vitesh ka vënë në funksion Formularin për zbatimin e Udhëzimit Administrativ për situata të jashtëzakonshme, i cili ua mundëson qytetarëve apatridë/të pasivizuar në Luginën e Preshevës të aplikojnë dhe të pajisen me dokumentacion civil. Hap i rëndësishëm drejt korrigjimit të padrejtësive të krijuara nga politikat diskriminuese të pasivizimit administrativ në Serbi. Po ashtu, që prej dy vitesh është siguruar baza ligjore që qytetarët e Luginës së Preshevës të kenë mundësi t’i bartin pronat e paluajtshme në emrin e tyre si titullarë, duke garantuar siguri juridike mbi pronën dhe duke hequr pengesat administrative që deri më tani i kanë përjashtuar nga e drejta elementare e pronësisë.
Në këtë kontekst, duhet nënvizuar se procedurat për aplikim për dokumente janë lehtësuar ndjeshëm, ndërsa pritet që Parlamenti i Republikës së Kosovës të miratojë Ligjin e ri për Shtetësinë, i cili do të krijojë një kornizë edhe më gjithëpërfshirëse”, ka shtuar ai.

Mustafi ka theksuar se pas datës 15 mars zbatimi i ligjeve do të jetë i plotë, ndërsa qytetarët duhet të veprojnë për të shmangur pasoja administrative.

“Kosova nuk është hapësirë e pasigurisë ligjore për shqiptarët e Luginës së Preshevës, por shtet i së drejtës që i mbron dhe i trajton me dinjitet dhe në mënyrë të barabartë,” tha ai.

Exit mobile version