Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Nafta ruse përçan Bashkimin Evropian

Nafta ruse përçan Bashkimin Evropian

Udhëheqësit e BE-së e bënë të qartë të hënën në samitin e Brukselit se nuk do të bien dakord për ndalimin e importit të naftës ruse, duke nxitur kritika të menjëhershme nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, i cili i qortoi se po tregohen të butë ndaj Moskës.

Bashkimi Evropian ka vendosur pesë pako sanksionesh që kur Rusia pushtoi Ukrainën më shumë se tre muaj më parë, duke demonstruar shpejtësi dhe unitet jokarakteristik duke pasur parasysh kompleksitetin e masave, shkruan Reuters.

Por mungesa e marrëveshjes për një paketë të gjashtë – dhe veçanërisht për një ndalim të naftës – ekspozoi përplasjet për të zgjeruar sanksionet, ndërsa rreziku ekonomik për Evropën rritet, sepse kaq shumë vende varen nga nafta e papërpunuar ruse.

“Nuk ka fare kompromis…”

Udhëheqësit e 27 vendeve të BE-së do të bien dakord në samitin dy-ditor mbi parimin e një embargoje eventuale të naftës, tregoi një draft i konkluzioneve të samitit të tyre.

Por vendimet e vështira do t’i lënë për më vonë.

“Nuk ka fare kompromis për këtë moment”, tha kryeministri hungarez, Viktor Orban, vendi i të cilit ka qenë bllokuesi kryesor për arritjen e marrëveshjes eventuale.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila propozoi paketën e fundit të sanksioneve në fillim të majit, ra dakord: “Ne ende nuk kemi arritur në këtë pikë”.

Ekziston një marrëveshje e gjerë për pjesën tjetër të paketës, duke përfshirë heqjen e bankës më të madhe ruse, Sberbank (SBMX.MM), nga sistemi i mesazheve SWIFT, ndalimin e transmetuesve rusë nga BE-ja dhe shtimin e njerëzve në një listë, asetet e të cilëve janë ngrirë.

Por Zelenskyy denoncoi mungesën e vendosmërisë së BE-së.

“Pse jeni të varur nga Rusia, nga presioni i tyre, dhe jo anasjelltas? Rusia duhet të jetë e varur nga ju. Pse Rusia ende mund të fitojë pothuajse një miliard euro në ditë duke shitur energji?” – pyeti Zelenskyy liderët e BE-së. “Pse bankat terroriste po punojnë ende me Evropën dhe sistemin financiar global? Pyetje serioze”, tha ai.

Kërkesat hungareze

Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, tha se ishte më realiste të pritej një marrëveshje për embargo të naftës brenda disa javësh, me shpresë në samitin e ardhshëm të BE-së në 23-24 qershor.

Disa u ankuan ashpër për mungesën e një marrëveshjeje.

“Ne po harrojmë gjendjen e përgjithshme”, tha kryeministri letonez, Krisjanis Karins. “Janë vetëm para. Ukrainasit po paguajnë me jetën e tyre”.

Draft teksti i parë nga Reuters – i cili mund të rishikohet sërish – do të konfirmonte se paketa e gjashtë e sanksioneve do të përfshinte ndalim të importeve të naftës nga deti, me naftën e tubacionit të furnizuar në Hungarinë, Sllovakinë dhe Republikën Çeke pa dalje në det që do të sanksionohet më vonë.

Megjithatë, udhëheqësit do t’i ngarkojnë diplomatët dhe ministrat të bien dakord se si do të funksionojë, duke përfshirë sigurimin e konkurrencës së ndershme midis atyre që ende marrin naftën ruse dhe atyre që kanë ndërprerë.

Orbani tha se Hungaria do të ishte e gatshme të mbështeste një marrëveshje “nëse ka zgjidhje për sigurinë hungareze të furnizimit me energji, e që nuk e kemi këtë tani”.

Hungaria merr naftën ruse nëpërmjet një tubacioni që kalon përmes Ukrainës. Pasi kërkoi fillimisht përjashtim për tubacionet, ka shtuar kërkesa të reja dhe tani kërkon garanci për furnizimin.

Mbështetja financiare për Ukrainën

“Sa herë që ka një çështje në tryezë dhe ofrohen zgjidhje teknike për ta zgjidhur atë, po ngrihen kërkesa të reja … është një objektiv lëvizës, e pamundur të arrihet marrëveshje në këtë mënyrë”, tha një diplomat i BE-së.

Një rezultat i prekshëm i samitit duhet të jetë marrëveshja për një paketë kredish të BE-së me vlerë 9 miliardë euro me një komponent të vogël grantesh për të mbuluar një pjesë të interesit, që Ukraina të mbulojë shpenzimet qeveritare dhe të paguajë pagat për rreth dy muaj.

Udhëheqësit do të mbështesin gjithashtu krijimin e një fondi ndërkombëtar për të rindërtuar Ukrainën pas luftës, me detaje që do të vendosen më vonë.

Udhëheqësit do të zotohen gjithashtu të përshpejtojnë punën për të ndihmuar Ukrainën që të nxjerrë grurin jashtë vendit te blerësit globalë nëpërmjet hekurudhave dhe kamionëve pasi marina ruse po bllokon rrugët e zakonshme detare.

Përgatiti: Rexhep Maloku/koha

Exit mobile version