Ballina Sport Futboll Napoli – Barcelona, dueli i mbrëmjes në Ligën e Kampionëve

Napoli – Barcelona, dueli i mbrëmjes në Ligën e Kampionëve

Kampioni i Italisë, Napoli do të përpiqet të ketë një start të mirë këtë vit në Ligën e Kampionëve kur të përballet me Barcelonën në kuadër të 1/8 së finales.

Ndeshja e parë e kësaj faze, zhvillohet të mërkurën prej orës 21:00 në stadiumin “Diego Armando Maradona” të Napolit. Në këtë përballje, në krye të Napolit do të debutoj edhe trajneri Francesco Calzona.

Ai u emërua të hënën mbrëma trajner i Napolit, të martën e nisi punën dhe të mërkurën synon rezultat pozitiv në ndeshjen e tij të parë. Calzona në këtë post zëvendësoi Walter Mazzarrin e shkarkuar dhe është trajneri i tretë në krye të Napolit këtë edicion.

Napoli e nisi edicionin me francezin Rudi Garcia, që u shkarkua në nëntor të vitit të shkuar për t’u zëvendësuar me Mazzarrin, i cili po ashtu nuk u tregua i suksesshëm. Napoli është në vendin e nëntë në kampionat dhe ka 27 pikë më pak se Interi që është lider në Serie A.

Duke pasur parasysh gjasat e vogla të Napolit për kualifikim në Champions edicionin e ardhshëm, ekipi italian do të përpiqet ta eliminoj Barcelonën në 1/8 e finales dhe për ta vazhduar rrugëtimin në këtë fazë. Në fakt, Napoli ka pasur rezultate të dobëta muajt e fundit me Mazzarrin, ndërsa në nëntë ndeshje nuk ka arritur të shënoj gol.

Te Napoli, pritet që kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani të jetë titullar ndaj Barcelonës pasi është njëri prej lojtarëve më të rëndësishëm të repartit defensiv.

Ngjashëm sikurse Napoli, edhe Barcelona nuk i ka punët mirë në La Liga. Ka ngecur në luftën për titullin e kampionit pasi zë vendin e tretë me 54 pikë, tetë më pak se Real Madridi që prinë në tabelë.

Po ashtu, Barcelona është eliminuar edhe nga Kupa e Spanjës dhe Liga e Kampionëve është gara e vetme ku mund të luftoj për trofe. Në të vërtetë, ky edicion do të jetë i fundit për Xavi Hernandezin në krye të Barçës, pasi trajneri më herët ka njoftuar se në verë do të largohet.

Barcelona ndaj Napolit, do të futet pas fitores që e arriti vikendin e shkuar në kampionat ndaj Celta Vigos, ekip që e mposhti me rezultatin 2:1.

Të mërkurën, po ashtu prej orës 21:00, zhvillohet edhe një ndeshje tjetër e 1/8 së finales të Championsit. Në Portugali, skuadra e Portos do të përballet me Arsenalin.

Arsenali vlerësohet favorit përball Portos, duke pasur parasysh se në Premier League po lufton me Liverpoolin dhe Manchester Cityn për titullin e kampionit.

Aktualisht, Arsenali është i treti në tabelë me 55 pikë, dy më pak se Liverpooli që është lider dhe një më pak se City që zë vendin e dytë.

Në anën tjetër, Porto ka mbetur prapa Benficas dhe Sportingun në garën për titullin e kampionit në Portugali. Është i treti në tabelë me 48 pikë, shtatë më pak se Benfica e Sportingu.

Ndërkohë, të martën mbrëma, Interi ka triumfuar 1:0 në shtëpi ndaj Atletico Madridit në ndeshjen e parë të 1/8 së finales derisa PSV Eindhoveni dhe Borussia Dortmundi kanë luajtur baras – 1:1.

Exit mobile version