Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentis, ka konfirmuar për mediat italiane se ka ofruar 60 milionë euro për sulmuesin e Interit, Mauro Icardi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Lajmi se Napoli dëshiron Icardin doli në vitin 2016, pasi Gonzalo Higuain u transferua në Juventus. De Laurentis zbuloi se çfarë kishte ndodhur në takimin me bashkëshorten e Icardit dhe përfaqësuesin Wand Nara.
“U takova me gruan e tij një pasdite në zyrën e saj, ajo ishte shumë e këndshme. I ofrova 55 deri në 60 milionë euro. Ne gjithashtu negociuam rreth një kontrate të mundshme. Icardi është një sulmues i klasit botëror dhe nën drejtimin e trajnerit tonë Maurizio Sarri mund të shënojë 40 gola. Mund të bëhet si Ronaldo”, tha De Laurentis.
I pyetur nëse do të ofronte përsëri para për Icardin, njeriu i parë i klubit kryesues në Serie A tha: “Kurrë mos thuaj kurrë”.
Icardi nënshkroi kontratën e tij të parë profesionale me Sampdorian në vitin 2012. Sezonin e ardhshëm kaloi në Inter ku ndodhet ende. Sulmuesi 24-vjeçar ka luajtur 170 ndeshje zyrtare dhe ka shënuar 96 gola për Interin. Ai luajti katër herë në fanellën e kombëtares së Argjentinës.
