Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kryeministri i Izraelit merr një letër kërcënuese

Kryeministri i Izraelit merr një letër kërcënuese

Kryeministri izraelit Naftali Bennett mori një letër kërcënuese të martën që përmbante një plumb, njoftuan mediat lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).

Korporata e Transmetuesit Publik Izraelit (KAN) raportoi se policia ka nisur një hetim për letrën, e cila u dërgua në shtëpinë e kryeministrit Bennett në qytetin Ra’anana në Izraelin qendror.

Agjencia e sigurisë së brendshme të Izraelit Shin Bet dhe policia po punojnë për të zbuluar burimin e letrës.

Shin Bet ka rritur gjithashtu sigurinë për familjen e Bennett-it.

“Pavarësisht se sa e thellë mund të jetë grindja politike, ajo nuk duhet të arrijë nivelin e dhunës, bullizmit dhe kërcënimeve me vdekje”, tha Bennett në një postim në Twitter.

“Duhet të bëjmë gjithçka, si liderë dhe si qytetarë, e ardhmja e të cilëve dhe e ardhmja e fëmijëve të tyre është në këtë vend, që thjesht të mos ekzistojnë fenomene të tilla”, tha ai.

“Ne jemi të gjithë njerëz. Argumentet dhe mosmarrëveshjet – po. Ngacmime dhe kërcënime – jo”, tha Bennett.

“Përveç se jam politikan dhe kryeministër, jam edhe bashkëshort dhe baba. Kështu që unë duhet të mbroj edhe gruan dhe fëmijët e mi”, vuri në dukje ai.

Kryeministri izraelit u bëri thirrje politikanëve, veçanërisht atyre që përdorin në mënyrë aktive mediat sociale, për qetësi dhe pajtim.

Policia izraelite kishte marrë masa ndaj disa shtetasve me arsyetimin se ata e kishin kërcënuar më parë Bennett-in. /aa

Exit mobile version