Ballina Artikuj Ndaluni së interpretuari fenë e tjetrit. Shpjegoni vetëm fenë tuaj.

Ndaluni së interpretuari fenë e tjetrit. Shpjegoni vetëm fenë tuaj.

Hoxhë Halil Avdulli

Një nga problemet më të mëdha në debatet fetare është se shumë njerëz marrin përsipër të interpretojnë dhe të shpjegojnë fenë e tjetrit. Kjo nuk është as e drejtë, as shkencore dhe as etike.
Nëse je mysliman, shpjego Islamin. Nëse je i krishterë, shpjego Krishterimin. Nëse je pjesëtar i një feje tjetër, shpjego fenë tënde. Fenë e tjetrit lëre ta shpjegojnë ithtarët e saj ose studiuesit që e njohin dhe e kanë hulumtuar seriozisht.
Çdo fe ka burimet, metodologjinë dhe parimet e veta të interpretimit. Nuk mund të shkëputësh një tekst nga konteksti i tij dhe ta interpretosh sipas kritereve të fesë sate. Një qasje e tillë nuk të çon te e vërteta, por te keqinterpretimi. Madje ju nuk po kritikoni atë fe, por versionin që ke krijuar vetë për të.
Nëse vërtet të intereson ta kuptosh një fe, fillimisht dëgjo se si e shpjegojnë vetë ithtarët e saj. Askush nuk e njeh një traditë më mirë se ata që e jetojnë dhe e studiojnë atë.
Prandaj, rregulli më i drejtë është i thjeshtë: shpjegoni atë që mëson feja juaj; fenë e tjetrit lëreni ta shpjegojnë ithtarët e saj. Vetëm kështu debati bëhet i ndershëm, dialogu ndërtohet mbi respekt dhe secila fe gjykohet sipas burimeve të veta, jo sipas interpretimeve të kundërshtarëve.

Exit mobile version