David Zaikin, njeri i afërt me familjen Trump dhe Netanyahun
David Zaikin nuk është një komentator i zakonshëm politik. I njohur në qarqet e lobimit dhe konsultimit strategjik, ai ka ndërtuar gjatë viteve një rrjet kontaktesh që shtrihet nga Shtetet e Bashkuara deri në Izrael, Turqi dhe Europën Lindore.
Emri i tij është bërë publik në disa raportime mediatike ndërkombëtare për lidhjet me figura të kampit republikan në SHBA dhe për përfshirjen në rrjete lobimi që kanë prekur debate të ndjeshme politike në Uashington.
Zaikin ka qenë i lidhur me rrethin ekonomik dhe politik pranë familjes Trump. Ai është përmendur në kontekste biznesi dhe lobimi që lidhen me interesa të afërta me ish-presidentin Donald Trump dhe bashkëpunëtorët e tij, duke përfshirë edhe projekte të profilit të lartë në sektorin e investimeve ndërkombëtare.
Këto lidhje e bëjnë më të ndjeshme daljen e tij publike kundër kryeministrit Edi Rama, sidomos në një periudhë kur investimet strategjike të lidhura me rrethin e Jared Kushner në Shqipëri, përfshirë projektet në Sazan dhe Zvërnec, mbeten në vëmendje.
Një element tjetër i rëndësishëm i profilit të tij është aktiviteti në median izraelite. Zaikin është komentator i rregullt në “Jerusalem Post”, një nga gazetat më të rëndësishme dhe me ndikim në Izrael, e cila shpesh reflekton qasje të afërta me establishmentin konservator izraelit.
Ai ka pasur gjithashtu kontakte dhe bashkëpunime me figura të lidhura me kampin politik të Benjamin Netanyahut, duke u pozicionuar në mënyrë të vazhdueshme pranë linjave të djathta të politikës izraelite në çështjet e sigurisë dhe politikës së jashtme.
Në Shqipëri, Zaikin ka një histori të dokumentuar lobimi. Ai është lidhur me Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe Ilir Metën, duke shërbyer si ndërmjetës në proceset e afrimit të kësaj force politike me qarqet lobuese në Uashington.
Sipas raportimeve mediatike dhe dokumenteve të regjistruara në SHBA, për këto shërbime janë paguar shuma që variojnë deri në rreth 300 mijë dollarë, në kuadër të kontratave të lobimit të LSI-së në Shtetet e Bashkuara.
Ky kombinim lidhjesh – me rrethin e Trump, me media dhe qarqe pranë Netanyahut, si dhe me strukturat politike shqiptare të lidhura me Ilir Metën – e bën Zaikinin një figurë që shpesh lexohet jo vetëm si analist, por si aktor i rrjeteve të interesit ndërkombëtar.
Në këtë kontekst, kritikat e tij të fundit ndaj Edi Ramës, ku ai flet për korrupsion, ndikim të krimit dhe kërkon një qeveri tranzitore, kanë hapur diskutime mbi motivet e vërteta të ndërhyrjes së tij. Disa nga skenarët që qarkullojnë në analizat politike lidhen me disa nivele të mundshme ndikimi.
Skenari i parë lidhet me interesat ekonomike dhe investimet strategjike të lidhura me rrethin e Trump në Shqipëri. Në këtë lexim, deklaratat e Zaikinit mund të shihen si një formë presioni indirekt ndaj qeverisë shqiptare për të garantuar stabilitet politik dhe klimë të favorshme për projektin.
Skenari i dytë e lidh ndërhyrjen e tij me dimensionin izraelit. Si një zë i rregullt në “Jerusalem Post” dhe i afërt me qarqe pranë Netanyahut, kritikat e tij mund të interpretohen si sinjal pakënaqësie ndaj mënyrës se si Rama po e menaxhon situatën në raport me protestat që veç të tjerash kanë rritur ndjeshmëritë anti-izraelite në opinionin publik.
Skenari i tretë është më politik dhe më i brendshëm: një lojë perceptimi. Në këtë variant, një figurë si Zaikin mund të përdoret për të krijuar gjoja një distancë mes qeverisë Rama dhe rrjeteve të lobimit hebre.
Zhvillimet në ditët dhe javët e ardhshme do të tregojnë se cili nga këto skenarë është më i saktë. \tesheshi
