Ballina Auto Në Holandë hapen rrugët plastike nga shishet e ricikluara

Në Holandë hapen rrugët plastike nga shishet e ricikluara

Rrugët në stil të Lego-ve me panele të parafabrikuara plastike janë hapur në Holandë duke ofruar premtime të mëdha.

Rrugët plastike që premtojnë më shumë forcë, riparime më të lehta, kullim më të mirë dhe qasje të përmirësuar për kabllot e shërbimeve të ndryshme janë ndërtuar nga një kompani daneze e ndërtimit.

Drive raporton se panelet për sistemin e PlasticRoad janë krijuar nga mbetjet plastike, duke përfshirë këtu edhe shishe të pijeve, në një projekt i cili ka filluar në vitin 2015 nga kompania e ndërtimit VolkerWessels, transmeton Telegrafi.

Kjo kompani ka bërë instalimin e paneleve PlasticRoad që nga viti 2018 për t’u përdorur si rrugë të vogla, qasje në hekurudhë dhe parkingje të veturave, megjithatë tani për tani teknologjia përdoret për aplikim në punë të lehta dhe jo në rrugë kryesore.

“Filiali i VolkerWessels, KWS, është duke punuar shumë në krijimin e gjeneratës së re të rrugëve: PlasticRoad”, shkroi në ueb-sajtin e saj kompania holandeze.

“Jo vetëm që dizajni i saj modular është i lehtë, më e shpejtë në instalim dhe më e qëndrueshme, por PlasticRoad gjithashtu ofron një zgjidhje në problemin global për mjedisin: atë të rritjes së mbetjeve të plastikes”, vazhdonte deklarata e VolkerWessels.

“Dizajni modular i PlasticRoad në mënyrë drastike e ul kohën e mirëmbajtjes dhe jetëgjatësia e tyre është tre herë më e gjatë se ajo e rrugëve konvencionale, gjithashtu duke reduktuar masivisht devijimet për shkak të punimeve në rrugë. Përveç kësaj, pjesët e parafabrikuara të rrugës janë gati për t’u përdorur sapo të instalohen: monto-dhe-luaj. Ju ndërtoni rrugë ashtu siç do të bënit me Lego.”

Panelet e parafabrikuara të plastikës janë të krijuara me zgavra të mëdha të brendshme, për përmirësim të kullimit dhe kabllove të shërbimeve të ndryshme, por edhe me degëzime të brendshme për të ofruar forcën e nevojitur për mbështetjen e peshës së njerëzve dhe veturave.

Përveç riciklimit të plastikës, VolkerWessels pretendon gjithashtu një reduktim prej 85 për qind të emetimeve për instalimin e PlasticRoad, krahasuar me rrugët konvencionale me zift ose beton.

Exit mobile version