Në kohën kur Kosova, njëjtë sikurse gjithë bota po përballet me pandemi globale, politika duhet të lihet mënjanë.
Kjo është thirrja që kanë bërë krerët institucionalë të BE-së dhe OKB-së në Kosovë, ambasadorët e Britanisë, Zvicrrës dhe Norvegjisë dhe shefi i EULEX-it përmes një deklarate të përbashkët.
Në deklaratë theksohet se aktorët politikë duhet të punojnë së bashku për të siguruar që qytetarët, pa asnjë dallim, të marrin ndihmën e nevojshme mjekësore dhe mbështetjen ekonomike.
“Bashkëpunimi ndërkombëtar dhe rajonal mundet vetëm ta përmirësojnë këtë përpjekje; të gjitha nismat e bashkëpunimit rajonal duhet të shihen pozitivisht. U bëjmë thirrje udhëheqësve politikë dhe institucionalë në Kosovë që të mbështesin të gjitha përpjekjet kombëtare dhe ndërkombëtare për zbutjen e ndikimit social dhe ekonomik të koronavirusit, dhe të përmbahen nga politizimi i ndihmës së vlefshme dhe të nevojshme ndërkombëtare”.
Ata gjithashtu pohojnë se në krizën e paprecedent shëndetësore të COVID-19, populli i Kosovës po tregon qëndrueshmëri dhe përgjegjësi.
“Ndërkohë që të gjithë jemi të pritje të kthimit të planifikuar me kujdes në normalitet, sa më shpejt që të jetë e mundur, këmbëngulja juaj mbetet e domosdoshme për ta zvogëluar ndikimin e shpërthimit dhe për të parandaluar një krizë edhe më të rëndë”.
