Ballina Lajmet Kosovë Në Kosovë mirëpritet rezoluta e miratuar nga Asambleja e OKB-së për Srebrenicën

Në Kosovë mirëpritet rezoluta e miratuar nga Asambleja e OKB-së për Srebrenicën

Në Kosovë është mirëpritur miratimi i rezolutës nga Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara që 11 korriku të shpallet si ditë ndërkombëtare e përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë të Bosnjës.

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se me miratimin e sotëm të rezolutës nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës, bota u jep brezave të ardhshëm mundësi për të mësuar nga mësimet e nxjerra nga Srebrenica.

“Njohja është një hap kyç drejt pajtimit dhe luftimit të mohimit të gjenocidit. Është thelbësore për shërimin dhe për paqen e qëndrueshme, duke u ofruar ngushëllim nënave të Srebrenicës dhe të gjithë anëtarëve të familjes së mbijetuar, duke siguruar që të dashurit e tyre nuk do të harrohen kurrë”, ka shkruar Osmani në platformën X.

Ajo ka shtuar se mohimi i gjenocidit nuk do të hapë kurrë rrugën drejt paqes.

“Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar në luftën për të vërtetën dhe drejtësinë. Le të udhëhiqemi nga kujtesa e ashpër në fjalët e fëmijës së pafajshëm që pyet nënën e tij: ‘Nënë, ushtarët i vrasin fëmijët me plumba të vegjël, apo jo?’”, ka shtuar ajo.

Në një postim në Facebook, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se ky është hap i rëndësishëm që njeh mizoritë që ndodhën në Srebrenicë 29 vjet më parë.

“Miratimi i Rezolutës nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara që shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë dërgon një mesazh të qartë: krimet e luftës dhe kundër njerëzimit nuk mund të injorohen dhe as të harrohen – përkundër kohës që kalon. Është e domosdoshme që akte të tilla kriminale, të nxitura nga urrejtja dhe qëllimet makabre, të etiketohen pa mëdyshje për atë që janë dhe përgjegjësit të sillen para drejtësisë. Sot, Srebrenica, mbi 8 mijë viktima që u vranë mizorisht përgjatë 10 ditëve, si dhe familjet e tyre, gjetën sadopak prehje”, ka shkruar ai.

Krasniqi ka thënë se teksa mirërpret dhe përshëndet këtë rezolutë, është me rëndësi urgjente që të njihet e dënohen ngjashëm edhe krimet e kryera në Kosovë.

“Mizoritë e kryera nga Serbia në Kosovë kërkojnë të njëjtin nivel vëmendjeje dhe dënimi nga komuniteti global. Mijëra familje në Kosovë vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për të dashurit e tyre dhe është thelbësore që zëri i tyre të dëgjohet. I bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të solidarizohet me popullin e Kosovës në kërkesën për drejtësi dhe llogaridhënie. Të zhdukurit duhet gjetur, autorët duhet të mbajnë përgjegjësi dhe viktimat të nderohen me dinjitetin që meritojnë. Vetëm përmes njohjes dhe drejtësisë ndërkombëtare mund të shpresojmë të shërojmë plagët e së kaluarës dhe të ndërtojmë një të ardhme të bazuar në paqe dhe pajtim”, ka thënë ai.

E Lidhja Demokratike e Kosovës e ka vlerësuar vulë për krimet e Serbisë në Bosnjë e Hercegovinë, Kroaci e Kosovë, votimin e rezolutës në Asamblenë e OKB-së.

“Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh përkrahjen e plotë dhe të palëkundur për këtë rezolutë, sepse është një hap i rëndësishëm drejt njohjes dhe përkujtimit të gjenocidit së Srebrenicës si një nga krimet më të rënda kundër njerëzimit në historinë moderne. LDK vlerëson lart përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar – sidomos Gjermanisë dhe Ruandës si propozuese zyrtare të rezolutës – për të dënuar dhe përkujtuar këtë akt gjenocidi, dhe rithekson se drejtësia dhe e vërteta janë themelet e paqes dhe stabilitetit në rajon. Përkrahja për këtë rezolutë, tregon angazhimin tonë të përbashkët për të mos harruar viktimat e pafajshme dhe për të siguruar që të tilla krime të mos përsëriten kurrë më”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Exit mobile version