Ballina Autorë Opinione Në Maqedoni shumëçka nuk funksionon, përpos harmonisë ‘vëllazërore’ ndëretnike mes zhvatësve të...

Në Maqedoni shumëçka nuk funksionon, përpos harmonisë ‘vëllazërore’ ndëretnike mes zhvatësve të saj!

Kim Mehmeti

Nga Kim Mehmeti

Mediat paralajmërojnë bashkëpunimin mes LSDM-së dhe BDI-së, në zgjedhjet vendore. Dhe kjo nuk është as e papritur as diçka e re: BDI-ja kështu e ka treguar besnikërinë e vet edhe ndaj VMRO-DPMNE’së, sepse i gjithë koncepti i saj politikë fillon e mbaron te kolltukët që të mundësojnë t’i kontrollosh tenderët.
Pra bashkëpunimi mes partive maqedonase dhe atyre shqiptare gjithmonë ka pasur dimensionin e sunduesit dhe vasalit. Me BDI’në, partitë maqedonase e kuptuan se as kanë pasur, as do kenë vasal më të mirë se drejtuesit e kësaj partie, andaj atë e ngritën në rrafshin e vlerës kombëtare të popullit maqedonas, e cila vlerë duhet mbrojtur edhe me ‘ligj’ që të mos i humb zgjedhjet.
Andaj duhet pranuar: në Maqedoni shumëçka nuk funksionon, përpos harmonisë vëllazërore ndëretnike mes zhvatësve të saj dhe të nëntokës politike. Pra, bashkëpunimi mes atyre që Maqedonisë i premtonin BE dhe e çojnë drejtë e në Beograd, është për t’ia pasur zili.
Gjithashtu duhet pranuar edhe e vërteta se në Maqedoni, më të dëmtuar janë jomaqedonasit e joshqiptarët, sepse vetëm ata kurrë nuk mund të bëhen pjese e ‘vëllazërisë’ së kryezhvatësve të vendit.
Po pra, në Maqedoni është rrënuar sistemi i drejtësisë, sistemi arsimor, ekonomia…, me çka ajo është bërë kompani private e partive në pushtet, e ku mund të punësohen vetëm besnikët e BDI’së e të LSDM-së, të cilëve, nëse e kërkon konkursi për punësim, as që u pengon ndryshimi i përkohshëm i përkatësie etnike.
Dhe duke qenë Maqedonia e tillë, asaj i shtohet numri i shtetarve me pasaporta të vendeve fqinje dhe nuk i mbetet udhë tjetër përpos t’i mbetet besnike ‘Minishengenit Ballkanik’, e që atë e kthen aty ku ishte dikur – në kthetrat e vëllait të madh të quajtur Serbi, e të cilën edhe sot e drejtojnë të dalurit nga kapota e Milloshqeviqit.
Dhe ndërkohe po ndodh e çuditshmja: integrimin e Maqedonisë në ‘Botën Serbë’ njësoj e dëshirojnë edhe partitë maqedonase edhe BDI-ja. Thuajse të rinjtë e këtij vendi ëndërronin që lirshëm të shkojnë në Beograd, e jo në Bruksel. Por siç duket, çdonjëri donë të jetë në shoqëria më ata si vetvetja: me ata që karakter njohës politik kanë krimin, hajdutërinë dhe gënjeshtrat.

Exit mobile version