Nga Sad ibn Ebi Uekas përcillet se i Dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam) ka thënë: “Përnjëmend Allahu e mbështet (e ngadhënjen) këtë ymet vetëm nëpërmjet të dobëtëve të tij, nëpërmjet lutjeve, namazit dhe sinqeritetit të tyre.” (Nesai 3178)
Shteti sionist nuk është i pathyeshëm ushtarakisht, sado që mburret për potencialin superior ushtarak që ai ka dhe për bombën atomike që ai posedon. Vendet muslimane nuk janë edhe aq të dobëta në këtë drejtim, edhe pse problemin më të madh ato e kanë tek vullneti dhe angazhimi politik i pamjaftueshëm dhe janë të përçara në interesa pushteti e vetjake, aq sa nuk bëjnë sa duhet dhe gjënë e duhur për këtë çështje.
Megjithatë, nuk ka nevojë për ne të tjerët, shumica e dobët e muslimanëve (ndoshta kemi zgjedhur të jemi të tillë!) të luftojmë me mjete që i zotërojnë vetëm shtetet, sepse ne mund të luftojmë përmes armës më të fortë që ne kemi, sinqeritetit, lutjeve dhe përkushtimit tonë aktiv.
Armëpushimin aktual në Gaza dhe pranimin e saj nga sionistët, nuk e detyruan vetëm armët modeste të rezistencës dhe qëndresa heroike martire dhe vetëmohuese e palestinezëve, por edhe zgjimi aktiv i ndërgjegjes mbarëbotërore, për realitetin tragjik të asaj që ndodh në atë tokë të përgjakur. Më shumë se çdo gjë tjetër ajo masakër nuk u ndal nga armët dhe gjaku i palestinezëve, por nga ekspozimi i së vërtetës tragjike që ndodh në atë vend, nga izolimi global moral i Izraelit, që e la Netanjahun të dhjerë para kombeve të botës, në Asamblenë e OKB-së.
Sot lufta më e madhe për të mbështetur Palestinën është imazhi publik dhe angazhimi mediatik për narrativën e së vërtetës, sidomos në rrjetet sociale dhe në këtë betejë mund të përfshihen të gjithë, pa dallim, të pasur a të varfër, të dobët a të fuqishëm, të gjithë mund të japin kontributin e tyre në këtë drejtim.
Popujt e botës, mes tyre edhe ata perëndimorë dhe amerikanë, nga shtetet e të cilëve varet plotësisht shteti sionist, nuk janë të pandjeshëm dhe indiferentë, kur shohin sesi qëndron e vërteta. Ata janë mashtruar për gati një shekull për të vërtetën e Palestinës dhe popullit të saj, duke mbështetur kështu në mënyrë të verbër një shtet kriminel dhe gjenocidal, që nga themelimi i tij.
Kështu pra, tregojini botës të vërtetën për Palestinën dhe sionistët dhe e vërteta do ta çlirojë atë.
Çdo tubim, çdo shkrim, çdo postim, çdo koment, çdo libër, çdo debat, çdo reagim, çdo like apo dislike, çdo ekspozim i krimeve dhe amoralitetit të shtetit sionist, është një zgjim për ndërgjegjen e njerëzve kudo në botë, është një ortek çlirimi global nga demagogjia e viktimizimit të përhershëm të kriminelëve sionistë. Mos e nënvleftësoni, sepse kjo është rruga e duhur për çlirimin e Palestinës.
