Ballina Artikuj Ne nuk adhurojmë personalitete

Ne nuk adhurojmë personalitete

Muslimani punon për besimin, idenë dhe objektivin e tij, në mënyrë që të përjetojë ëmbëlsinë e besimit. Ai nuk punon për hatër të individëve, kushdo qofshin ata: “Kush ka adhuruar Muhamedin, le ta dijë se Muhamedi ndërroi jetë, ndërsa kush ka ardhuruar Allahun, le ta dijë se Allahu është i Gjalli, i Përjetshmi dhe nuk vdes kurrë: “Muhamedi është vetëm i Dërguar, para të cilit ka pasur edhe të dërguar të tjerë. ‎Nëse ai vdes ose vritet, a mos do të ktheheni ju prapa? Kushdo që kthehet prapa, ‎nuk i bën kurrfarë dëmi Allahut. Dhe Allahu do t`i shpërblejë falënderuesit”.([1])([2])

Ka dallim të madh mes respektit ndaj dijetarëve, vlerësimit të aktivistëve, shprehjes së mirënjohjes për ata që e meritojnë dhe adhurimit apo shenjtërimit të personaliteteve. Ne i respektojmë dijetarët, por shenjtërojmë vetëm Allahun e Madhëruar. Është nga amaneti i fesë që mirënjohja t`iu shprehet vetëm atyre që e meritojnë.

Në shkrimet e tij, imami i madh – Ibn Kajimi – thotë shpeshherë: “Na ka thënë shejhu ynë”, duke nënkuptuar Ibn Tejmijen. Mos vallë Ibn Kajimi e shenjtëron shejhun e tij, apo e vlerëson dhe thekson dhuntitë që Allahu ia ka dhuruar shejhut të tij?! Ne nuk shprehim servilizëm dhe as nuk ia bëjmë qejfin askujt në kurriz të fesë sonë, mirëpo kemi bindjen, se thirrja që ka rigjallëruar imam Hasan El-Bena, është Islami i vërtetë.

Me këto që thamë, ne nuk refuzojmë konceptet e “Vilajes – përkushtimit maksimal” dhe “Kerametit – privilegjit që Allahu ia dhuron një të përkushtuari”. Përkundrazi ne i pranojmë këto koncepte, mirëpo ne theksojmë atë që ka thënë imam Hasan El-Bena, se inspirimi, përfytyrimet, vizionet dhe ëndrrat nuk mund të merren si burime legjitime për nxjerrjen e dispozitave të Sheriatit, por ato merren në konsideratë, vetëm atëherë kur nuk bien ndesh me dispozitat dhe tekstet e Sheriatit.

Në të vërtetë, këto janë fjalët që ka thënë më parë edhe Shejhul islam Ibn Tejmije: “Nuk ka dyshim, se ëndrra nuk është argument për atë gjë që është parë dhe nuk lejohet që nëpërmjet saj të argumentohet për diçka. Ky është mendimi unanim i dijetarëve për këtë çështje”.([3]) Është vërtetuar në një hadith se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Ëndrra është tre llojesh: përgëzim nga Allahu, përjetim i ditës dhe frikësim nga shejtani”.([4])

Allahu qoftë i kënaqur me Uthman ibn Afanin, i cili i tha një personi që hyri në kuvendin e tij: “Si guxoni të futeni tek unë, ndërkohë që në fytyrë keni gjurmë të imoralitetit”? Personi pyeti: “A ka akoma shpallje, edhe tani që i Dërguari i Allahut ka ndërruar jetë”? Uthmani (r.a) iu përgjigj: “Jo, por kjo është firaset (intuitë imanore)”.([5])

Pavarësisht kësaj intuite imanore, Uthmani (r.a) nuk nxorri ndonjë dispozitë prej tij dhe as nuk e konsideroi atë si burim legjitim të dispozitave fetare.

Ibn Abasi (r.a) thotë: “Nuk ka dyshim se e mira e dikujt pasqyrohet tek ai nëpërmjet: shkëlqimit në fytyrë, dritës në zemër, forcës në trup, bollëkut në furnizim dhe dashurisë në zemrat e njerëzve (për të), ndërsa e keqja e dikujt pasqyrohet nëpërmjet: nxirjes në fytyrë, errësirës në zemër, dobësisë në trup, pakësimit në furnizim dhe urrejtjes në zemrat e njerëzve (për të)”.([6])

Autor: Xhumua Emin

Përktheu: Rushit Musallari

([1]) – Kurani: Ali Imran, ajeti: 144.

([2]) – Hadith i vërtetë. Buhariu (1241) dhe Ahmedi, vëll. VI, f. 219-220.

([3]) – Ibn Tejmije, “Mexhmûu`l-Fetâvâ”, vëll. XXIV, f. 376.

([4]) – Hadith i vërtetë. Muslimi (2263), Ebu Daudi (5019) dhe Ibn Maxheh (3906). Hadithin me tekstin e përmendur nga autori e transmeton Buhariu (7017), Muslimi (1773), Tirmidhiu (2280), Darimiu (2413) dhe Ibn Maxheh (3906). Buhariu e transmeton si fjalë të Ibn Sirinit.

([5]) – Ibn Kajimi, “Et-Turuku`l-Hukmije”, f. 79, botim i “Dar Alemi`l-Fevaid”, Meke, 1428, botimi i parë.

([6]) – Ibn Kajimi, “El-Uâbilu`s-Sajjib”, f. 67.

Exit mobile version