Viti 2026 ka nisur me një numër të lartë të aksidenteve në rrugët e Shqipërisë.
Vetëm në 5 ditë, kanë humbur jetën 7 qytetarë. Prej të enjtes deri këtë të hënë janë shkaktuar në total 20 aksidente rrugore.
Ngjarja më e rëndë u regjistrua tre orë pas ndërrimit të viteve, në aksin rrugor Gjirokastër–Tepelenë, ku humbën jetën tre të rinj, të cilët po udhëtonin me një automjet tip Volksëagen. Si pasojë e aksidentit mbeti e plagosur rëndë edhe një vajzë 19-vjeçare.
Një ditë më vonë, më 2 janar, në orët e para të mëngjesit, një tjetër aksident u regjistrua në aksin rrugor “Lezhë–Milot”, në vendin e quajtur Gocaj. Në këtë aksident humbën jetën burrë e grua, si dhe u plagosën tre persona të tjerë, të cilët udhëtonin në mjetin tjetër.
Një ditë më pas, të shtunën e 3 janarit, autobusi i linjës së Krrabësit përplasi një 46-vjeçar, i cili po kalonte në anë të rrugës. Aksidenti ndodhi pranë vendit të quajtur Ura e Peshkatarit. Shoferi i autobusit u arrestua nga policia.
Edhe të dielën humbi jetën një këmbësor tjetër, një 68-vjeçar. Në rrugën e re të portit në Durrës, ai u përplas nga një automjet që drejtohej nga një 28-vjeçar.
Të dhënat tregojnë për rritje të numrit të aksidenteve në ditët e para të vitit, pasi gjatë javës së parë të janarit të vitit 2025 u shënuan 3 aksidente të rënda, me pasojë vdekjen e 4 qytetarëve.
