Ballina Lajmet Kosovë Në Prishtinë rreth 46 mijë objekte pa leje presin të legalizohen

Në Prishtinë rreth 46 mijë objekte pa leje presin të legalizohen

Projektligji për ndërtimet pa leje ka dështuar të miratohet në seancën e së enjtes të Kuvendit të Kosovës.

Shkak për këtë është bërë mungesa e kuorumit. Dy subjektet opozitare LDK-ja e VV-ja, kanë braktisur seancën, ndaj miratimi i Projektligjit është bërë i pamundshëm.

Një votim i ngjashëm ka dështuar edhe një javë më parë, për të njëjtat arsye.

Miratimi i Projektligjit për ndërtimet pa leje do të mundësonte fillimin e procedurës për legalizim të mbi 300 mijë ndërtimeve të tilla në gjithë Kosovën.

Vetëm në kryeqytetin kosovar, janë identifikuar afro 46 mijë sosh. Zëdhënësi i Komunës, Adonis Tahiri, ka thënë se komuna është në proces të pranimit teknik të disa objekteve të ndërtuara.

“Nga lëndët e mbetura të pakompletuara qe shumë vite, kanë qenë 72 aplikime, kurse sivjet kanë aplikuar edhe 19 raste të tjera. Deri tash, vetëm 7 raste kanë marrë pranimin teknik në Inspektorat dhe janë bartur në Urbanizëm për certifikatë të përdorimit, si dhe 8 raste të tjera janë pranë përfundimit” , ka thënë Tahiri

Exit mobile version