Ballina Lajmet Kosovë Stano thotë se rezultatet e deritashme në dialog janë shkaku i Kosovës...

Stano thotë se rezultatet e deritashme në dialog janë shkaku i Kosovës e Serbisë e jo i Lajçakut

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme e Siguri, Peter Stano, ka thënë se përparimi i vogël në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë nuk është dështim i përfaqësuesit special për dialogun Miroslav Lajçak, por është dështim i palëve.

Stano në konferencë për media ka thënë se Lajçak dhe përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, kanë përkrahjen e plotë të shteteve anëtare sa i përket dialogut Kosovë – Serbi.

Ai është pyetur se çfarë mësime janë mësuar gjatë mandatit të Lajçakut si i deleguar special i BE-së për dialogun.

“Ka një mësim shumë të qartë, përderisa palët nuk janë të gatshme të lëvizin sigurisht askush nuk do të jetë në gjendje t’i detyrojë ato. Roli ynë si lehtësues në dialogun Prishtina – Beograd, është të lehtësojmë, të ndihmojmë të bëhen evropianë. Të ndihmojmë palët të sillen në mënyrë evropiane dhe të gjejnë zgjidhje kompromisi në çështje të rëndësishme për qytetarët e tyre. Fakti se nuk ishin në gjendje të bëjnë këtë deri tash dhe të lëvizin në procesin e normalizimit nuk është për shkak të dështimit të pretenduar të BE-së si lehtësuese, por për shkak të dështimit të palëve”, ka thënë Stano në konferencë për media.

Stano ka thënë se vetë fakti se BE-ja ka emëruar një përfaqësues special për dialogun, dëshmon vëmendjen që ia kushton kësaj çështje.

“Nuk është e vërtetë të paraqiten rezultat e pakta deri tash si dështim i përfaqësuesit special Lajçak. Ai bëri më të mirën, në emër të përfaqësuesit të lartë të BE-së me përkrahjen e plotë të 27 shteteve anëtare. Nuk është faktualisht korrekte të thuhet se ishte dështim, pasi dy palët nuk nënshkruan marrëveshjen e Ohrit. Shumë herë e shpjeguam nuk ishte çështje nënshkrimi për ne. Kjo marrëveshje është ligjërisht e obligueshme dhe nuk ka shprehje më të mirë sesa përfshirja e saj në rrugën evropiane për të dyja, që do të thotë se nëse nuk ecin para në zbatim e dëmtojnë veten, të ardhmen e tyre evropiane dhe përfitimet që qytetarët e tyre do të mund të marrin duke ecur para”, ka thënë Stano.

Stano ka thënë se “BE-ja nuk mund të detyrojë palët dhe se mund të bëjë aq sa palët janë të gatshme të lëvizin”.

“Siç do t’u thotë çdo lehtësues e ndërmjetësues, niveli çfarë mund të arrihet varet nga aftësia dhe vullneti i palëve për kompromis”, tha Stano.

Stano ka thënë se BE-ja nuk do të dorëzohet, porse mund të ofrojë vetëm aq sa palët janë të gatshme të pranojnë.

Sa i përket kritikave në Parlamentin Evropian ndaj Lajçakut, Stano ka thënë se ato ishin “pikëpamje individuale të disa deputetëve”. Por, thotë se në përgjithësi Lajçaku e Borrelli gëzojnë mbështetjen e plotë të shteteve anëtare të BE-së.

“Nëse po tenton të ndihmosh partnerët, dhe ata nuk duan që të ndihmohen e vijnë duke ia drejtuar gishtin njëri-tjetrit dhe ngrenë pengesa të reja e veprojnë njëanshëm, pa koordinim e konsultim, atëherë mund të bësh vetëm aq sa të lejojnë palët”, ka thënë Stano.

Sa i përket caktimit të përfaqësuesit të ri special për dialogun, Stano ka thënë se do të shihet çështja si do të shkojë pak para përfundimit të mandatit të Lajçakut në gusht.

Exit mobile version