Dhomat e Specializuara për Kosovën, tashmë kanë mbyllur dyert sa i përket paraqitjes së provave në gjykimin më të madh ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Para disa javësh, Specialja njoftoi se është mbyllur procedura e paraqitjes së provave dhe është caktuar rendi i ditës për paraqitjen e deklaratave përmbyllëse nga palët.
Fjalët përfundimtare, në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit janë planifikuar të paraqiten më 9 deri më 13 shkurt, e si data për këtë janë rezervuar edhe datat 16 dhe 18 shkurt.
Prokurori i Specializuar do të ketë kohë 8 orë, për të paraqitur fjalën përfundimtare, Zyra për mbrojtjen e viktimave 3 orë dhe secili ekip mbrojtës i të akuzuarve nga 4 orë e gjysmë.
Në një përgjigje për televizionin, nga Dhomat e specializuara për Kosovën kanë sqaruar procedurën pas deklaratave përmbyllëse, raporton RTV Dukagjini.
“Në gjykimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, deklaratat përmbyllëse janë caktuar të mbahen nga 9 deri më 13 shkurt 2026, me dy data rezervë më 16 dhe 18 shkurt. Pas deklaratave përmbyllëse, Trupi Gjykues do të deklarojë gjykimin të mbyllur dhe do të fillojë kuvendimet për aktgjykimin. Aktgjykimi duhet të shpallet brenda 90 ditësh nga mbyllja e gjykimit. Në rastet kur rrethanat kërkojnë kohë shtesë, ekziston mundësia që afati të zgjatet me 60 ditë të tjera. Deri më tani Trupi Gjykues nuk ka caktuar datë për shpalljen e aktgjykimit”, ka thënë – Dhomat e Specializuara për Kosovën.
Ndërkohë që monitoruesit e kësaj gjykate presin që vendimi përfundimtar për këtë rast,të jetë meritor dhe i bazuar në prova.
“Tani këto deklarata të dëshmitarëve dhe të gjitha prova tjera do vlerësohen në fund nga trupi gjykues edhe në dhënien e fjalëve përfundimtare do të kemi një analizë më të detajuar të të gjitha provave dhe zhvillimeve që kanë ndodhur gjatë shqyrtimit kryesore dhe do shohim nëse palët kanë arritur ta bindin trupin gjykues që të merret një vendim në favorin e tyre”, ka thënë Amer Alija – Monitorues, FDH.
Nga 22 dhjetori e deri më 9 janar 2026, Dhomat e Specializuara për Kosovën janë në pushim dimëror.
