Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Në Shqipëri mbahet sërish protestë antiqeveritare, shoqërohet me tensione

Në Shqipëri mbahet sërish protestë antiqeveritare, shoqërohet me tensione

Në Shqipëri vazhdojnë protestat antiqeveritare, ndërkohë që sot është organizuar një tjetër protestë kombëtare nga opozita, e cila është shoqëruar me tensione dhe përplasje mes policisë dhe protestuesve, raporton Anadolu.

Protesta kombëtare është organizuar nga partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike e Shqipërisë (PD), me mbështetjen edhe të partive të tjera opozitare, me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Balluku është marrë e pandehur për veprën penale “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe sipas opozitës, ajo duhet “t’i dorëzohet drejtësisë”.

Mbështetësit e opozitës nga qytete të ndryshme të vendit kanë protestuar para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë. Sipas PD-së, protesta mbahet edhe kundër rasteve të korrupsionit të zyrtarëve të lartë.

Protesta u shoqërua me tensione, ku disa protestues hodhën molotovë, fishekzjarrë dhe tymuese në drejtim të selisë së Kryeministrisë, duke shkaktuar edhe zjarr, ndërkohë që forcat e policisë hodhën gaz lotsjellës dhe ujë.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, gjatë fjalës në protestë u shpreh se janë “më të fortë dhe më të vendosur se kurrë”.

“Sonte është thirrja e madhe, është ora jonë, të bashkohemi, të bashkohemi, të bashkohemi për të përmbysur këtë qeveri, për të krijuar një qeveri teknike, për zgjedhje të reja dhe të ndershme, për një vizion të ri për Shqipërinë dhe shqiptarët”, u shpreh Berisha.

Berisha u ka bërë thirrje mbështetësve të opozitës që të vazhdojnë protestat antiqeveritare.

Pas fjalës së Berishës, protesta u zhvendos para selisë së sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, ku u shënuan edhe tensione dhe përplasje mes policisë dhe protestuesve.

Për protestën u angazhuan qindra forca policore shtesë dhe u bllokuan disa akse rrugore në Tiranë, ndërsa është raportuar për disa të lënduar nga gazi lotsjellës dhe përplasjet.

Në muajt e fundit në Shqipëri partitë opozitare kanë organizuar protesta antiqeveritare, teksa kanë paralajmëruar vazhdimin e protestave edhe në javët në vazhdim.

Exit mobile version