Në Shqipëri vazhdon moti i keq, ku në disa qarqe të vendit reshjet e borës dhe shiut kanë shkaktuar probleme, transmeton Anadolu.
Sipas autoriteteve, pas reshjeve të shiut të ditëve të fundit, reshjet e borës në orët e fundit kanë krijuar probleme në diza zona të vendit.
Në një njoftim të publikuar sot nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë thuhet se disa qarqe po përballen me problematikat e shkaktuara nga reshjet e borës dhe shiut.
“Reshjet intensive të shiut dhe dëborës, të shoqëruara me temperatura të ulëta kanë krijuar problematika të shumta në disa qarqe të vendit, duke ndikuar në qarkullimin rrugor, furnizimin me energji elektrike dhe sigurinë e banorëve, kryesisht në zonat malore dhe pranë lumenjve”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, Forcat e Armatosura të Shqipërisë, strukturat e mbrojtjes civile, policia dhe institucione të tjera janë të angazhuara në terren me mjete dhe personel për përballimin e situatës dhe rikthimin e normalitetit.
Shqipëria është përfshirë në ditët e fundit nga moti i keq, ku reshjet e dendura të shiut shkaktuan përmbytje në disa qytete, ndërkohë është shënuar edhe një i vdekur.
Situata më problematike me reshjet e shiut dhe përmbytjet në ditët e fundit u raportua në qarqet Durrës, Shkodër, Lezhë, Fier, Berat dhe Gjirokastër, ku janë përmbytur banesa, biznese dhe tokë bujqësore.
Raportohet se në disa zona situata e shkaktuar nga përmbytjet është drejt normalizimit.
Sipas autoriteteve shqiptare, deri tani në rang vendi janë numëruar 1.587 banesa në praninë e ujit, janë evakuuar 339 persona dhe 51 familje dhe prania e ujit është konstatuar në 13.211 mijë hektarë tokë bujqësore, ndërkohë janë përmbytur edhe disa qendra shëndetësore apo objekte arsimore.
