Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Në sulmet e forcave izraelite ndaj qytetit Rafah humbin jetën 26 palestinezë

Në sulmet e forcave izraelite ndaj qytetit Rafah humbin jetën 26 palestinezë

Të paktën 26 palestinezë përfshirë 8 fëmijë kanë humbur jetën në sulmet ajrore që ushtria izraelite ka kryer ndaj qytetit Rafah në jug të Rripit të Gazës, raporton Anadolu.

Sipas informacioneve të marra nga burimet e shëndetësisë, ushtria izraelite ka shënjestruar 11 shtëpi në sulmet e saj ajrore të ndërmarra që nga mbrëmë natën e deri më tani kundër zonave të ndryshme të qytetit Rafah.

Në sulme kanë humbur jetën 26 palestinezë, përfshirë 8 fëmijë si dhe janë plagosur shumë të tjerë.

Sipas informacioneve të marra nga dëshmitarët, në shënjestër të sulmeve kanë qenë shtëpitë e familjeve, Attar, Ishtayvi, Hashash, Kishta, Armilat, Abu Shaluf, Abu Labda, Hawaje dhe Abu Hashem.

Në anën tjetër, Drejtoria e Mbrojtjes Civile në Gaza, ka informuar se ekipet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë punimet e tyre të kërkimit dhe shpëtimit për ata që kanë mbetur nën rrënojat e 11 shtëpive të shënjestruara.

Qyteti Rafah i vendosur në pjesën më jugore të Rripit Gazës në kufirin me Egjiptin kishte rreth 280 mijë banorë para sulmeve izraelite dhe aktualisht popullsia e qytetit është rritur më shumë se 5 herë, duke arritur në gati 1,5 milion.

Një pjesë e madhe e palestinezëve që janë larguar për shkak të sulmeve izraelite, mungesës së banesave të mjaftueshme dhe mungesës së infrastrukturës, janë strehuar në Rafah dhe po luftojnë për mbijetesë në kampet e përbëra nga tenda të improvizuara.

Ndërsa paraqiteshin shqetësime se civilëve nuk do t’u mbesë më vend për t’u strehuar në Rripin e Gazës, nëse ushtria izraelite fillon sulm tokësor ndaj qytetit Rafah ndaj të cilit ajo kryen shpesh herë sulme ajrore, autoritetet izraelite vazhdonin kërcënimin e tyre për të pushtuar Rafah pavarësisht paralajmërimeve që vinin nga komuniteti ndërkombëtar.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, dje duke pretenduar se lëvizja Hamas nuk dëshiron të arrijnë marrëveshje me qeverinë e Tel Avivit për shkëmbimin e pengjeve, theksoi se do të “pushtojnë së shpejti” qytetin Rafah në jug të Rripit të Gazës.

Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 e deri më tani, 34.683 palestinezë, përfshirë të paktën 14.944 fëmijë dhe 9.849 gra janë vrarë, ndërsa 78.018 të tjerë janë plagosur.

Ndërsa raportohet se nën rrënoja ka ende mijëra të vdekur, po shkatërrohet infrastruktura civile duke shënjestruar spitalet dhe institucionet arsimore ku është strehuar popullata.

Exit mobile version