Braziliani Neymar me shumë gjasa do të largohet verën e ardhshme nga Parisi dhe destinacioni mund të jetë “Reali”, ose “Barcelona”.
Pike dhe Suarez, e shohin si pasardhës të denjë të Mesit, madje edhe më shumë se Kilian Mbape. Mesi me shokë, duket se kanë kuptuar motivet që e shtynë të largohet dhe janë ta gatshëm ta ripranojnë në “Senatin e Barçës”. Nëse nuk ia del të sigurojë një kontratë për të luajtur në “Camp Nou”, duket se destinacioni do të jetë Madridi, duke imituar kështu Ronaldo “Fenomenin”.
Sipas katalanases “Mundo Deportivo”, Nejmar u ka pranuar disa miqve dëshirën e tij për t’u rikthyer në La Liga. Mes grupit të miqve ka qenë një gazetare spanjolle. Biseda është zhvilluar në sheshxhirimin e një reklame, ku ka qenë i pranishëm mesfushori Artur i “Barçës” dhe serfisti Gabriel Medina. Nejmar ka pranuar boshllëkun që i ka ngelur prej transferimit, të cilin as golat, e aq më pak paratë e Parisit nuk po ia mbushin dot.
“Reali” në këtë situatë do të ishte një destinacion alternativ. Ashtu si patrioti Ronaldo, i cili shkoi në Madrid pas përvojës me “Interin”, edhe Nejmar mund të shfrytëzonte Parisin si tranzit, përpara kalimit te “Reali”, ku Florentino Perez vështirë se do të kalonte një tjetër verë pa fishekzjarrë në merkato. / ATSH
