Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Nënshkruhen dokumente dypalëshe mes qeverive të Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut

Nënshkruhen dokumente dypalëshe mes qeverive të Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut

Gjatë vizitës në Beograd të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ministrat e qeverisë së tij dhe qeverisë së Serbisë kanë nënshkruar disa dokumente dypalëshe, transmeton Anadolu.

Këto dokumente synojnë afrimin e mëtejshëm të vendeve, ekonomive dhe popujve të dy vendeve dhe të cilat rrjedhin nga marrëveshjet e nënshkruara për nismën e Ballkanit të Hapur.

Sipas njoftimit të qeverisë së Maqedonisë së Veriut, memorandumi i nënshkruar ndërmjet ministrave të brendshëm të dy vendeve fqinje ka të bëjë me lehtësimin dhe përshpejtimin e qarkullimit të udhëtarëve dhe automjeteve në vendkalimin kufitar Tabanovcë-Preshevë.

“Të vetëdijshëm për nivelin e lartë të trafikut të automjeteve të pasagjerëve që krijohet në këtë pikë kufitare, ekipet e ministrive të brendshme, sektorët e IT-së dhe policisë kufitare, administratat doganore dhe ministritë e transportit nga të dyja vendet kanë punuar prej disa muajsh për të gjetur zgjidhje. Janë përcaktuar disa lloje masash, zbatimi i të cilave do të përmirësojë, lehtësojë dhe përshpejtojë qarkullimin e pasagjerëve”, thuhet në njoftim.

Këto masat, theksohet më tej, para së gjithash i referohen infrastrukturës në terren dhe modelit të menaxhimit të përbashkët të kufirit.

Memorandumi i dytë i nënshkruar ka të bëjë me një projekt për sistemet e rrjetëzimit për pagesën elektronike në pikë pagesa të autostradave. Sipas njoftimit, me intensifikimin e bashkëpunimit rajonal dhe me nivelin e lartë të lidhjes mes dy vendeve, numri i qytetarëve që udhëtojnë nga Maqedonia e Veriut në Serbi ose anasjelltas po rritet çdo ditë.

Thuhet se me nënshkrimin e memorandumit, së shpejti të gjithë qytetarët e Serbisë me pajisjen ‘TAG’ të instaluar do të mund të kalojnë pikë pagesat në Maqedoninë e Veriut pa ndalesë dhe e njëjta gjë do të vlejë edhe për qytetarët e Maqedonisë së Veriut kur të udhëtojnë përmes Serbisë.

Gjithashtu theksohet se edhe intensiteti i automjeteve dhe pasagjerëve që përdorin këto dy vende si tranzit drejt vendeve të treta është i lartë.

“Në këtë drejtim, vazhdimisht po përmirësojmë infrastrukturën e autostradave dhe po ndërtojmë autostrada të reja, por po investojmë edhe në zgjidhje digjitale që lehtësojnë udhëtimin duke rrjetëzuar sistemet elektronike të pagesave në pikë pagesa”, tha qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Memorandumi i tretë, i cili po ashtu u nënshkrua në Beograd, ka të bëjë me bashkëpunimin në fushën e minierave dhe energjetikës.

“Me këtë memorandum tregojmë vullnetin tonë të përbashkët për të forcuar marrëdhëniet dhe mirëkuptimin reciprok, në mënyrë që të kontribuojmë në zhvillimin ekonomik. Energjia është një shtyllë e ekonomisë dhe me këtë memorandum, ndër të tjera, inkurajohen dhe mbështeten investimet e përbashkëta nga të dyja vendet, veçanërisht për ndërtimin e kapaciteteve për shfrytëzimin e burimeve të rinovueshme të energjisë, prodhimin e energjisë dhe ndërlidhjen e sistemeve të gazit dhe energjisë elektrike të Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Exit mobile version