Ballina Artikuj Nesër është Ashura

Nesër është Ashura

Husamedin Abazi

I Dërguari i Allahut, Muhamedi a.s., ka thënë:
“Agjërimi më i mirë pas Ramazanit është agjërimi në muajin e Allahut, Muharrem.”(Muslimi, nr. 1982)
Agjërimi i Ashurasë
Transmetohet nga Abdullah ibn Abbasi r.a. se ka thënë:
“Kur i Dërguari a.s. erdhi në Medinë, i pa hebrenjtë duke agjëruar në Ditën e Ashurasë dhe pyeti: ‘Çfarë është kjo ditë?’ Ata thanë: ‘Kjo është një ditë e mirë. Në këtë ditë Allahu i shpëtoi bijtë e Israilit nga armiku i tyre dhe Musai a.s. e agjëronte këtë ditë.’ Atëherë ai tha: ‘Unë jam më i merituar për Musain a.s. sesa ju.’ Pastaj e agjëroi këtë ditë dhe urdhëroi që të agjërohej.(Buhariu, nr. 1865)
Vlera e agjërimit të Ditës së Ashurasë
Transmetohet nga Ibn Abbasi r.a. se ka thënë:
“Nuk e kam parë kurrë të Dërguarin a.s. më të kujdesshëm për agjërimin e ndonjë dite, duke kërkuar vlerën e saj, sesa për Ditën e Ashurasë dhe muajin e Ramazanit.”(Buhariu, nr. 1867)
Po ashtu, i Dërguari a.s. ka thënë:
“Shpresoj që agjërimi i Ditës së Ashurasë të jetë shkak që Allahu të më falë mëkatet e vitit të kaluar.”(Muslimi, nr. 1976)
Allahu na mundësoftë ta ngjallim këtë ditë me agjërim, adhurim dhe vepra të mira, duke shpresuar në faljen dhe mëshirën e Tij.

Hoxhë Husamedin Abazi

Exit mobile version