Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Nesër nis samiti i liderëve të BE-së

Nesër nis samiti i liderëve të BE-së

Krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së do të takohen të enjten për të diskutuar mbi migracionin, çështjet ekonomike dhe mbështetjen e bllokut për Ukrainën, transmeton Anadolu.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy pritet të marrë pjesë personalisht në samit pas ftesës së Charles Michel, presidentit të Këshillit Evropian, por prezenca e tij nuk është konfirmuar zyrtarisht për arsye sigurie.

Udhëheqësit do të vlerësojnë situatën në Ukrainë dhe masat e mëtejshme për të mbështetur Kievin, tha një zyrtar i BE-së në kushte anonimiteti.

Përveç ndihmës ushtarake, ata do të flasin për mënyrën e përdorimit të aseteve ruse me vlerë 300 miliardë euro që janë ngrirë për shkak të sanksioneve për luftën e saj kundër Ukrainës.

Ata gjithashtu do të shqyrtojnë masat e mëtejshme kufizuese kundër Moskës, ndërsa blloku planifikon të vendosë raundin e dhjetë të sanksioneve përpara përvjetorit të parë të luftës më 24 shkurt.

Çështjet ekonomike do të jenë pika e dytë në agjendën e liderëve të BE-së, me fokus në strategjinë e re për mbështetjen e industrisë evropiane në përgjigje të Aktit të Reduktimit të Inflacionit të shpallur së fundmi në SHBA.

Brukseli ka frikë se legjislacioni i ri, i cili synon të nxisë energjinë e pastër dhe të reduktojë kostot e kujdesit shëndetësor, u jep bizneseve amerikane avantazh të padrejtë.

Udhëheqësit do të debatojnë gjithashtu mbi temën e menaxhimit të migracionit.

Kancelari austriak Karl Nehammer kërcënoi sot se do të vërë veton ndaj deklaratës përfundimtare të samitit nëse anëtarët e BE-së nuk angazhohen për të forcuar kufijtë e jashtëm.

Në fillim të kësaj jave, Austria, Danimarka, Estonia, Lituania, Letonia, Malta, Greqia dhe Sllovakia i kërkuan në një letër të përbashkët Komisionit Evropian të paraqesë planet për rritjen e kontrollit kufitar dhe përshpejtimin e dëbimeve të azilkërkuesve të refuzuar.

Exit mobile version