Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Netanyahu telefon presidentin Erdoğan për t’i shprehur ngushëllime për sulmin terrorist në...

Netanyahu telefon presidentin Erdoğan për t’i shprehur ngushëllime për sulmin terrorist në Stamboll

Kryeministri i zgjedhur i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka telefonuar presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, për t’i shprehur ngushëllimet e tij për sulmin terrorist të së dielës në Stamboll, si pasojë e të cilit humbën jetën gjashtë persona dhe 81 të tjerë u plagosën, transmeton Anadolu Agency (AA).

Drejtoria Turke e Komunikimeve njoftoi se presidenti Erdoğan, duke falënderuar Netanyahu-n për thirrjen e tij ngushëlluese, ka shprehur trishtimin e tij për incidentin në Bregun Perëndimor dy ditë më parë.

Të martën, tre kolonë izraelitë u vranë dhe tre të tjerë u plagosën në një sulm brenda një vendbanimi në veri të Bregut Perëndimor.

Erdoğan gjithashtu uroi që rezultatet e zgjedhjeve në Izrael të jenë “të favorshme për vendin dhe rajonin”.

Në fillim të këtij muaji, ish-kryeministri Netanyahu dhe blloku i tij i krahut të djathtë fituan 64 vende në parlamentin izraelit prej 120 vendesh, duke siguruar një shumicë të plotë për të formuar qeverinë.

Duke theksuar fillimin e një epoke të re në marrëdhëniet Turqi -Izrael falë vullnetit të fortë të shfaqur nga të dyja palët, presidenti Erdoğan tha se “Është në interesin e përbashkët të Turqisë dhe Izraelit të ruajnë marrëdhëniet duke respektuar ndjeshmërinë mbi bazën e interesave të ndërsjella dhe për t’i forcuar ato mbi një bazë të qëndrueshme”.

Netanyahu, nga ana e tij, tha se përpjekjet e ndërmjetësimit të Turqisë midis Rusisë dhe Ukrainës janë “të rëndësishme për botën”.

Më 22 korrik, Turqia, Kombet e Bashkuara (OKB), Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje në Stamboll për të rifilluar eksportet e drithërave nga tre porte ukrainase të Detit të Zi, që u ndërprenë në muajin shkurt për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë.

Sot, para skadimit të marrëveshjes më 19 nëntor, marrëveshja historike u zgjat edhe për 120 ditë të tjera.

Sipas OKB-së, që nga 1 gushti janë eksportuar mbi 10 milionë tonë drithëra nga Ukraina.

Muajve të fundit, marrëdhëniet Izrael-Turqi janë përmirësuar, me të dy vendet në muajin gusht që u pajtuan për rivendosjen e lidhjeve të plota diplomatike. Që atëherë, të dy vendet kanë riemëruar ambasadorët e tyre.

Exit mobile version