Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Netanyahu thotë se do të investojnë 110 miliardë dollarë shtesë për industri...

Netanyahu thotë se do të investojnë 110 miliardë dollarë shtesë për industri të pavarur të mbrojtjes

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se kanë ndarë një buxhet shtesë prej 350 miliardë shekelësh izraelitë (rreth 110 miliardë dollarë) për t’u përdorur gjatë dhjetë viteve të ardhshme, me synimin për të ndërtuar një industri të pavarur të mbrojtjes, transmeton Anadolu.

Duke u takuar me zyrtarë të lartë të sigurisë dhe punëve të jashtme në selinë e Shërbimit të Brendshëm të Inteligjencës së Izraelit Shin Bet (Shabak), Netanyahu theksoi se dëshirojnë ta bëjnë Izraelin një vend sa më të fortë, të zhvilluar dhe të pavarur.

Duke vënë në dukje vështirësinë e arritjes së një pavarësie të plotë, Netanyahu tha: “Do të përpiqemi që armët tona, përfshirë disa platforma ajrore, të prodhohen në Izrael”.

Ai shtoi se synojnë të ulin varësinë nga aleatët dhe për këtë arsye do të bëjnë një investim shtesë prej rreth 110 miliardë dollarësh gjatë dekadës së ardhshme.

Netanyahu pohoi se pavarësimi në fushën e industrisë së mbrojtjes do t’i ndihmojë ata të krijojnë aleanca dhe t’u rezistojnë presioneve.

Dihet se SHBA-ja është aleati dhe furnizuesi më i rëndësishëm i Izraelit në fushën e industrisë së mbrojtjes.

Më 19 nëntor, Ministria izraelite e Mbrojtjes njoftoi se që nga tetori 2023 në vend kanë mbërritur mbi 1.000 avionë dhe rreth 150 mjete detare, duke transportuar mbi 120 mijë tonë pajisje ushtarake, municione, sisteme armësh dhe pajisje mbrojtëse.

Edhe pse nuk u specifikua nga cilat vende janë dërguar materialet ushtarake, u bë e ditur se në operacionet e transportit kishin marrë pjesë misionet izraelite në SHBA dhe Berlin.

Exit mobile version